Reshjet e shiut/ Probleme në Shkodër dhe Vlorë, strukturat në gatishmëri

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Reshjet e shiut me intensitet të lartë, si dhe shkrirja e dëborës në zonat veriore kanë shkaktuar probleme në qarkun e Shkodrës dhe Vlorës.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, tha për ATSH-në se, “jemi në terren me një grup pune të inxhinierëve dhe specialistëve si dhe me drejtorin e Emergjencave Civile Haki Çako në zonën e Dajçit”.

“Po inspektojmë situatën dhe po vlerësojmë hap pas hapi nevojën e emergjencës. Janë të gjitha strukturat e ushtrisë dhe të shëndetësisë në gatishmëri për t’iu përgjigjur nevojave të banorëve qoftë me transport, apo për problematika që mund të kenë në aspektin shëndetësor”, – tha Angoni.

Prefektja Angoni u shpreh se “nuk kemi asnjë shtëpi të përmbytur në Dajç, kemi prezencë uji në shtëpi dhe ka një rritje të nivelit të ujit për shkak edhe të prurjeve të lumenjve Gjadër dhe Kir”.

Për sa i takon raportimeve nga kaskada e Drinit, Angoni tha se, “tani janë ulur shkarkimet me 400 m3 në sekondë, pavarësisht se prurjet natyrore janë mbi 2 mijë m3 në sekondë. Hidrocentrali po bën maksimumin që të mos ndikojë në këtë moment në zonën e Nënshkodrës”.

Sipas saj, lagjet më problematike kanë qenë ato perfierike të Shkodrës, pasi ka dalë Buna nga shtrati në një pjesë.

“Deri tani kemi 10 familje që janë evakuuar në lagjet e Shkodrës, pasi ky qytet është më problematik tani sesa zona e Nënshkodrës”, – tha Angoni

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët e qytetit të Vlorës, në lagje ku edhe uji ka arritur në disa centimetra.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj tha për ATSH-në se “po e ndjekim situatën nga afër, tani që pushoi shiu uji po tërhiqet dhe hidrovoret po punojnë. Shpresojmë që situata të përmirësohet”.

“Edhe në Orikum është përmbytur nënstacioni i Radhimës për shkak të reshjeve. Edhe në Panaja nga reshjet e shumta janë 200 ha tokë të përmbytura”, – tha Mamaj.

Vendi ynë është përfshirë ditët e fundit nga reshje intensive shiu, të cilat kanë shkaktuar probleme.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.