Ballina Flash

Meta: E gjithë lugina e Vjosës të shpallet Park Kombëtar

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar propozimin e 20 organizatave mjedisore, vendase dhe të huaja, drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Qeveria të dëgjojë zërin e komunitetit, aktivistëve të mjedisit, botës akademike, personaliteteve vendase e të huaja dhe të tërhiqet urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare, me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik”, shprehet Meta.

“Jemi të vendosur të vijojmë pa u lodhur përpjekjet tona energjike për të mos lejuar me mjete demokratike çdo vendimmarrje arbitrare, korruptive dhe të dyshimtë të Qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa. E gjithë lugina të shpallet Park Kombëtar! E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë”, thekson Meta.

Disa javë më parë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se të gjitha Zonat e Mbrojtura janë rishikuar duke u përmbledhur në një studim, i cili është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe pritet së shpejti të miratohet në qeveri. Zonat e Mbrojtura do të shtohen me Parkun e Alpeve dhe të Vjosës.

Për Vjosën ministri Klosi u shpreh se, “është një park kombëtar i menaxhuar me rregullat e parkut kombëtar duke hequr debatin që vazhdon të jetë në media për politika të caktuara duke garantuar opinionin publik se vendimi fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit e përcakton në bazë të propozimit të ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe e mbrojtur nga Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë Parkun e Vjosës të gjithë nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det një peizazh i mbrojtur një zonë e mbrojtur një vlerë unikale të mjedisit shqiptar”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushi: Monitorim i vazhdueshëm i zhvillimit të mësimit “online” në shkolla
Artikulli tjetërReshjet e shiut/ Probleme në Shkodër dhe Vlorë, strukturat në gatishmëri