Meta: 25 prilli, dita kur populli rimerr sovranitetin e tij

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/  “Në 25 prill, Shqipëria zgjedh mes dy alternativave, ose do të kthehet në shinat europiane, ose në një projekt Lindor, që e kemi provuar për 50 vite”, deklaroi sot në një intervistë televizive Presidenti Ilir Meta.

Meta u shpreh se, “25 prilli është dita e demokracisë dhe dita e ndarjes nga shpopullimi”.
Sipas tij, 25 prilli është dita kur populli rimerr sovranitetin e tij.

“Është mision patriotik pjesëmarrja në zgjedhje. Fuqia e popullit është vetëm vota”, theksoi Meta.

Meta tha gjatë intervistës se, “kurrë mos e mendoni se ekziston një mundësi, që Ilir Meta të bëjë një koalicion me Ramën”.

“Kjo histori ka përfunduar, tha ai duke shtuar se janë dy arsye, “ka vënë në diskutim integritetin territorial të Shqipërisë dhe ka vënë në diskutim kufijtë e Kosovës”.

Meta u shpreh se, “vota e shqiptarëve do mbrohet me çdo çmim”, duke shtuar: “mjerë çdo bandit dhe oligark, që angazhohet për ta prekur atë”.

“Kupa është mbushur, tani duhet thyer! 25 prilli, dita kur populli rimerr sovranitetin e tij”, nënvizoi Meta.

Presidenti Meta tha se, “populli shqiptar ka nisur marshimin drejt 25 prillit. Shqiptarët e kanë të qartë, që duhet të marrin pushtetin në duart e tyre”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.