Rimëkëmbja nga pandemia dhe rindërtimi pas tërmetit/ Qeveria rriti shpenzimet me gati 45 miliardë lekë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2020 arritën në 536.3 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 9 % më i lartë ose rreth 44.4 miliardë lekë më shumë.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, rritja e shpenzimeve kapitale kishte si qëllim për të motivuar zhvillimin ekonomik dhe të çuarit përpara reformat e nisura dhe në aspektet e projekteve infrastrukturore në funksion të rimëkëmbjes nga COVID-19 dhe rindërtimit të vendit nga tërmeti.

Referuar raportit mbi treguesit fiskal, Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur shpenzimet korente janë realizuar në masën 94.5 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar.
Shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 104.3 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 95.3 % të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 34.

Objektivi i qeverisë para krizës ka qenë konsolidimi fiskal. Por situata e pandemisë ka detyruar të gjithë shtetet, jo vetëm Shqipërinë të rrisë nivelin e borxhit publik. Qeveria lëshoi paketat ndihmuese për bizneset dhe individët të cilët u prekën në punën e tyre për shkak të pandemisë, të cilët në të kundërt do të përballeshin me një situatë tejet të vështirë. Njëkohësisht shtoi shpenzimet për sektorin e shëndetësisë, si dhe dyfishoi pagesat e ndihmës ekonomike dhe papunësisë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.