Arrestimi i gjyqtares Hoxha/ KLGJ: Janë marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.

KLGJ ka reagua pas arrestimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha nga SPAK. Ndaj saj janë ngritur dy akuza, ndërsa në pranga janë vendosur dhe 9-të persona të tjerë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi”.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji. Si organ i qeverisjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton pavarësinë e institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor. Këshilli do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”, njofton KLGJ.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.