Pasoja nga tërmeti dhe pandemia/ Të ardhurat tatimore 219 miliardë lekë, 17 miliardë lekë më pak se viti i kaluar

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se të ardhurat tatimore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT, për vitin 2020 u realizuan në masën 219 miliardë lekë, 17 miliardë ose 7.2 % më pak se viti i kaluar, si dhe 8.5 miliardë lekë, ose 3.7 % më pak se plani i vitit 2020.

Në përmbledhjen e Performancës 12-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve MFE thekson se “peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 46.2 miliardë lekë, 2.6 miliardë, ose 5.3 % më pak se viti 2019, si dhe 4.5 miliardë, ose 8.9 % më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar për vitin 2020”.

Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja bruto vjen si pasojë e goditjes që mori ekonomia shqiptare nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën vitin 2020 arritën 16.5 miliardë lekë, 7 miliardë lekë ose 29.8 % më pak se viti 2019, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 21.4 % më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për vitin 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 28.4 miliardë lekë. Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 8.2 miliardë lekë, ose 22.5 % më pak se viti 2019, si dhe 2 miliardë lekë ose 6.7 % më pak se plani për vitin 2020 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 37 miliardë lekë, 9.1 miliardë lekë ose 19.7 % më pak se viti 2019, si dhe 4 miliardë ose 9.9 % më pak se plani vitin 2020.

Taksat nacionale për periudhën janar-tetor 2020 u realizuan në masën 29.8 miliardë lekë, 4 miliardë lekë ose 11.9 % më pak se viti 2019, si dhe 3.7 miliardë lekë ose 11 % më pak se plani i përcaktuar për vitin 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 91.1 miliardë lekë, 127 milionë lekë ose 0.1 % më pak viti 2019, si dhe realizim 101.4 % të planit për vitin 2020.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.