Ballina Ekonomi

Programi ekonomik i PD-së/ Kadia: Jo realist dhe i pashëndetshëm për ekonominë

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia e cilësoi programin ekonomik të prezantuar nga Partia Demokratike si jo realist dhe të pashëndetshëm për ekonominë, pasi nuk mund të zbatohet në kushtet kur vendi është goditur nga dy kriza, ajo e tërmetit dhe pandemia.

“Në këndvështrimin e të ardhurave buxhetore, përballemi me 3 kriza, tërmeti i cili përkthehet me koston e rindërtimit, po ashtu edhe pandemia për shkak të mbylljes së ekonomisë. Dhe kriza e tretë është ulja e taksave e cila shoqërohet me rritje të shpenzimeve deri në 700 milionë euro. Kjo është e njëjta fatkeqësi që i shkaktuan dy të parat. Pra ky program është jo realist dhe jo i shëndetshëm për ekonominë“, tha Kadia gjatë një interviste në media.

Sipas Kadisë, po të marrësh detaje të programit vërehet një shtet i ri model krejtësisht social, ku shteti bëhet pjesë në mënyrë aktive në arsimi falas, buka falas për fëmijë dhe mbështetje me kredi për faljet e reja.

“Ky është një rol i ekzagjeruar që mundohet të ndërmarrë shteti në kushtet e një krize ekonomike. Atë pak buxhet duhet të dish ta menaxhosh në mënyrë që të ulësh borxhin dhe të incentivosh sipërmarrjen”, shtoi ai.

Sipas tij, këto premtime teorikisht krijojnë një shtet krejtësisht social, por vuri në dukje Kadia, shteti social nuk mbahet nga taksat e ulëta.

“Shteti social shqiptar nuk do të arrijë dot atë që ka arritur Gjermania në 100 vite. Nuk do ta bëjë dot Shqipëria në 4 vite”, tha Kadia.

Sipas tij, politika sociale më e mirë është fokusi te tërheqja e investimeve të huaja dhe nxitjes së sipërmarrjes vendase.

“Ndaj buxheti duhet të shkojë vetëm për incentivimin e hapjeve të bizneseve në teknologjinë e re, në start-up që mund të qëndrojnë të rinjtë. Këto duhet të jenë primare për ekonominë shqiptare e cila ka akoma disa disavantazhe, krahasuar me ekonomitë e tjera. Ne po shpenzojmë shumë pak për kërkim e zhvillim, jemi një ekonomi pak e fokusuar në fushat kërkimore”, deklaroi zv/ministri.

“Kur s’ke bërë akoma inovacion, apo start-up po përfundojmë të bëjmë politika të lëmoshës sociale”, vuri ai në dukje. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTaksa “Basha”/ Denaj: Favorizon “oligarkët”, ju ul taksat me rreth 14.6 miliardë lekë
Artikulli tjetërBalluku inspekton mirëmbajtjen në segmentin Lezhë-Shëngjin: Nisim së shpejti punën për sigurimin dhe ndriçimin e plotë të rrugës