“Me punë jo gjumë”/ Voskopoja transformim rrënjësor për të pritur turistët

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Fshati turistik i Voskopojës, Korçë, mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës Ballkanike dhe Europiane.

Vitet e fundit në Voskopojë janë kryer një sërë projektesh për transformimin e saj, si qendra e saj, infrastrukturën rrugore, shkollën e fshatit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga investimet në Voskopojë.

“Mirëmëngjes me punë , jo gjumë”, tha Rama.

“Jemi shumë të kënaqur me investimet, me ujin, kalldrëmet, me dritat me pemët që i kanë mbjellur. Voskopoja nuk ka probleme për asgjë them unë. Shteti këtu ka investuar jashtë mase”, shprehet një qytetare.

Sa i përket investimit në rrugën e Voskopojës, një banor shprehet se “ne na kanë shpëtuar, shpëtuam me transportin. Njerëzit i merreni thasët në kurriz. Ndriçimi na është rregulluar. Kemi drita në fshat, as Korça s’besoj të ketë kaq drita”.

Përsa i përket investimit në ujësjellës, një tjetër qytetar shprehet se “ne më përpara nuk e kemi patur ujë të pijshëm kurse tani kanë filluar dhe po bëjnë kanalizimet”,

E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.

Në fshatin turistik të Voskopojës, përveç bukurisë, argëtimit me dëborën shijohen edhe gatime tradicionale si lakrorët e ushqime të tjera me produkte bio të prodhuara në fshat./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.