Ballina Flash

Reshjet e dëborës/ Prefekti Kuçana për ATSH-në: Akset rrugore nacionale të kalueshme, vijon kriposja e rrugëve

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Reshjet e dëborës të shoqëruara me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe ngricave kanë përfshirë ditët e fundit bashkitë e qarkut të Kukësit.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, tha sot për ATSH-në se “të gjitha rrugët nacionale në qarkun Kukës janë të qarkullueshme normalisht”.

“Nga informacionet e marra nga kontraktorët që kanë në performance rrugët nacionale të gjitha janë të kalueshme normalisht. Kontraktorët me kapacitetet e nevojshme kanë punuar për kriposjen e atyre segmenteve ku paraqiten problematike, si dhe mirëmbajtjen e tyre”, – tha Kuçana.

Prefekti Kuçana bën të ditur se “akset rrugore në bashkitë e qarkut Kukës janë të qarkullueshme. Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë normal në shkallë qarku”.

Ndërsa sa i përket furnizimit me energji elektrike probleme ka në 3 fshatra të qarkut.

“Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë Qarkun Kukës përveç fshatrave Barruq e Shpat, njësia administrative Ujmisht, bashkia Kukës, dhe fshati Pogaj, bashkia Has”, – tha Kuçana.

Prefekti tha se janë në gatishmëri për të shmangur çdo problematikë, për shkak të motit të keq.

Prej disa ditësh zonat veriore dhe juglindore të vendit janë përfshirë nga reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta. /k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTemperaturat e ulëta/ ARRSH: Pastrim dhe shpërndarje e kripës në akset me ngrica, qarkullimi pa probleme
Artikulli tjetërRehabilitohet parku “Mbretëresha Geraldinë” në Burrel, një nga më të vjetrit në Ballkan