Meta: Rruga e Selenicës të ndërtohet menjëherë

TIRANE, 18 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta kërkoi sot që “rruga e Selenicës të ndërtohet menjëherë dhe banorët e kësaj zone të mos penalizohen më nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni”.

Në një takim me banorë të Selenicës, Meta tha se “mezi kisha pritur të vizitoja Selenicën, këtë qytet me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por të braktisur prej vitesh në mjerim e vuajtje, për të biseduar hapur, sy më sy, me kërkesë të tyre, me banorët e mrekullueshëm të saj”.

“Më njohën me problemet e shumta të përditshmërisë së tyre, nga mungesa e vendeve të punës, investimeve dhe shfrytëzimi pa kriter i tokave bujqësore nga biznesmenë të lidhur me pushtetin”, tha ai.

Presidenti tha se “të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës”.

“I informova në detaje për të gjitha përpjekjet e mia të palodhura për ndërtimin pa vonesa të saj dhe për të mos lejuar më talljen me Selenicën, duke i garantuar se përherë do të jem në krahun e tyre”, tha Meta.

Më herët, Presidenti Meta zhvilloi një bashkëbisedim me studentë në qytetin e Vlorës.

“Kënaqësi të nisja sot ditën, me një bashkëbisedim të ngrohtë në Vlorë me studentë të këtij qyteti, të cilët studiojnë brenda dhe jashtë vendit. Ndamë shumë ide të çmuara për domosdoshmërinë e angazhimit të tyre energjik, në të gjitha fushat e jetës, për t’i dhënë Vlorës shkëlqimin dhe krenarinë e merituar”, tha Meta.

Presidenti shprehu domosdoshmërinë për të dëgjuar zërin e të rinjve. “Të bëjmë çdo përpjekje për t’ju krijuar të gjitha shanset dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt në Atdheun tonë”, tha Meta.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.