Kryemadhi: Varfëria, e pranishme në të gjitha familjet shqiptare

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e njësisë Nr. 4 në Tiranë.

“Kemi filluar prezantimin e të gjithë kandidatëve të LSI për deputetë. Ndërkohë që edhe me profesor Edmond Haxhinaston që është kryetar i Grupit të Programit të LSI-së, po hartojmë dhe po përmbyllim përfundimisht programin e LSI-së, angazhimet tona, pikat tona kryesore të cilat janë të domosdoshme për të gjithë ne dhe që në fund të ditës janë ato për të cilat njerëzit kanë nevojë dhe që ne duhet të angazhohemi dhe duhet t’i qëndrojmë deri në fund premtimeve tona”, tha Kryemadhi.

“Gjëja më kryesore është që një nga problemet dhe një nga arsyet që edhe ne kemi dalë dhe jemi në takime përditë me njerëzit është problematika, mungesa e punësimit, rritja e taksave, varfëria e madhe që është prezente në të gjitha familjet shqiptare, mungesa e shpresës, largimi i të rinjve dhe të rejave, mungesa e një diplome serioze dinjitoze për ata që janë studentë për të konkurruar në tregun e punës, për më tepër sot në kohënm e zhvillimit të mësimit online, ku platformat dixhitale janë të pamundura përsa i përket gjithë asaj propagande të madhe”, tha Kryemadhi.

“Një nga problemet që ne kemi është që ne gjithmonë dalim në premtime e premtime, por problemi është se asnjëri nuk të jep një faturë financiare problematikave, por gjithmonë ecin me idenë, sikurse e tha Rama, do të krijojmë 300 mijë vende pune dhe nuk realizoi asgjë. Apo që do të ulë çmimin e energjisë elektrike dhe përkundrazi nuk e realizoi atë. Tha do të ulim taksat dhe do ta taksojmë të pasurit, por ndodhi e kundërta. Taksoi të varfrit, intelektualët shqptarë apo shtresën e mesme dhe zhveshi nga çdo lloj pagese oligarkët dhe të pasurit, kur në fakt ajo që ne duhet të marrim përsipër është realizimi i gjithë atyre premtimeve”, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim edhe me banorët në zonën e Sulovës ku diskutuan për problematikat e bujqësisë dhe peshkimit.

Kryemadhi tha se, LSI shumë shpejt do të dalë me një qasje të qartë për sa i përket mbështetjes për fermerët.

“Ne jemi në kuadër të hartimit të politikave dhe shumë shpejt do të dalim edhe me një qasje të qartë, të kthjellët dhe të panegociueshme për sa i përket ndihmës ekonomike që duhet t’i japim fermerit dhe çdo njeriu që merret me bujqësinë, sepse sot të merresh me bujqësi është një nga profesionet më të vështira dhe është shumë e vështirë që të gjejmë të rinj dhe të reja që të punojnë dhe të kontribuojnë në mënyrë të tillë, sepse nuk marrin shpërblimin e duhur për punën që ata bëjnë”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu Kryemadhi zhvilloi sot edhe një takim me të rinjtë në Cërrik.

“Sot jemi në mes të qytetit të Cërrikut, një nga problemet kryesore që kanë kudo si në komuna si kudo është largimi i të rinjve. Nuk është vetëm në Cërrik, është në të gjithë Shqipërinë, kudo që kemi qenë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Korçë, Tiranë, të rinjtë po largohen. Një nga arsyet që të rinjtë po largohen është mungesa e mundësive për tu punësuar. Një nga arsyet e tjera është pagat për punët që bëjnë nuk janë ato që shpresojnë dhe duhet të marrin”, tha Kryemadhi.

Një nga problemet e tjera kryesore vijoi ajo “është edhe faktori që i nxit dhe keqqeverisja për të mos krijuar hapësira për të rinjtë. Ne ndjejmë këtë dhe një angazhimet tona kryesore jo vetëm që të rinjtë t’i kthejmë vendimmarrës në politikë por dhe politikbërës. LSI është e vetmja parti politike që ka krijuar hapësira për të rinjtë, e vetmja parti politike që iu ka dhënë shanse të rinjve, duke filluar me Erisa Xhixhon që ka qenë kryetarja e parë e LRI, Endrit Braimllari, Klajda Gjosha, Floida sot që janë pjesë përbërëse e strukturës dhe vendimmarrjes së LSI por ne nuk duam të ngelemi këtu. Duam të krijojmë hapësira të reja për të rinjtë, hapësira pafund”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.