BERLIN, 12 janar /ATSH-ANSA/ – Kompania bioteknologjike gjermane, BioNTech, e lidhur me gjigantin amerikan, Pfizer, theksoi se do të ishte në gjendje të prodhonte dy miliardë doza të vaksinës së saj antiCOVID-19 deri në fund të vitit.
Ky njoftim erdhi pas vendimit të fundit të EMA-s për të autorizuar administrimin e gjashtë dozave nga një ampulë e vaksinës antiCOVID-19 në vend të pesë.
Bëhet fjalë për një objektiv më të lartë se i mëparshmi prej 1,3 miliardë doza.
Më herët zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Shëndetësisë, Hanno Kautz, duke iu referuar autorizimit të EMA-s njoftoi se nga një ampulë e vaksinës antiCOVID “Pfizer Biontech”, tani mund të vaksinohen gjashtë persona në vend të pesë.
“Për të nxjerrë gjashtë doza nga një shishkë e vetme, është e nevojshme të përdoren shiringa dhe/ose gjilpëra me vëllim të ulët të vdekur”, specifikoi EMA.
“Nëse sasia e vaksinës që mbetet në shishkë pas dozës së pestë nuk është në gjendje të japë një dozë të plotë (0.3 ml), profesionisti i kujdesit shëndetësor duhet ta hedhë atë”, përfundoi agjencia.
Sipas një studimi të ri, vaksina antiCOVID “Biontech-Pfizer” mbron, gjithashtu, nga të ashtuquajturat mutacione angleze dhe afrikano-jugore të virusit, përhapja e së cilëve është gjetur në shumë vende./ /ec/