BRUKSEL – BE: Me pasurimin e uraniumit Irani largohet nga angazhimet

BRUKSEL, 4 janar /ATSH-ANSA/ – Nëse njoftimi i Iranit për pasurimin e uraniumit deri në 20% zbatohet, atëherë kjo do të përfaqësonte një largim domethënës nga angazhimet e mëtejshme bërthamore të Teheranit dhe do të kishte komplikime serioze në mospërhapjen e armëve bërthamore, deklaroi sot zëdhënësi Komisionit Europian për Çështjet e Jashtme, Peter Stano.

Stano megjithatë mënjanoi parashikimin e pasojave të mundshme për Teheranin.

Irani filloi sot pasurimin e uraniumit deri në 20%, përtej kufirit prej 3,67 % të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Ky proces është në përputhje me një ligj të ri bërthamor të miratuar së fundmi nga parlamenti.

Ligji i ri lejon një prodhim vjetor prej 120 kilogramësh në nivelin 20 %. Ai gjithashtu lejon që agjencia atomike e vendit të prodhojë 500 kilogram uranium më pak të pasuruar në muaj./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.