TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ -Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka paraqitur ditën e sotme dorëheqjen e parevokueshme tek kryeministri Edi Rama.
Lajmin e bëri të ditur vetë Cakaj, nëpërmjet një reagimi ku pohoi se “pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar”.
Cakaj gjithashtu në reagimin e tij, falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Rama, si dhe stafit të MEPJ për mbështetjen e vazhdueshme.
“Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë europiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar”, thekson Cakaj.
“Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim. Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, përfundoi Cakaj. /j.p/























