Bozdo: Rama bëri rritjen më të madhe të çmimit të energjisë në 30 vite

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo deklaroi sot se, “Rama mashtroi se do të ulte ç mimin e energjisë, bëri rritjen më të madhe në 30 vite”.

Duke reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp, Bozdo tha se, “në vitin 2013 Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar, mes të tjerash, uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin”.

“Në vitin 2015 Rama bëri pikërisht të kundërtën e asaj që premtoi, duke rritur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjare ashtu edhe për biznesin. Ishte rritja më e madhe në 30 vitet e fundit”, tha ai.

“Si pasojë e kësaj rritjeje, sot 88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. Kështu mesatarisht, një familje shqiptare paguan 64 mijë lekë energji më shumë në vit nga ç’paguante më parë. Për biznesin çmimi u rrit mesatarisht 20%, ndërsa për kategori të caktuara të biznesit u rrit deri në 35%”, theksoi Bozdo.

“Për shkak të reformave të munguara në sektorin e energjisë elektrike, Banka Botërore (Enterprise Survey 2019), përllogarit se 2% e prodhimit humbet pikërisht për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji, ndërsa 48% e biznesit deklaron se mbajnë gjenerator”, u shpreh ai.

Bozdo theksoi se, “çmimi energjisë është rritur ashtu siç janë rritur pafund  taksat, kosto e jetesës, varfëria dhe pamundësia e një familje mesatare për të jetuar normalisht në Shqipëri”.

“Por ndryshimi do të vijë. Asgjë dhe askush nuk e ndal dot! Në 25 prill do të hapet një epokë e re për shqiptarët dhe Shqipërinë”, përfundoi Bozdo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.