“Liria ka emër”/ Rrëfimi prekës i ish-infermieres së UÇK-së: Na u desh shumë sakrificë e shumë jetë të humbura

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka shpërndarë sot rrëfimin e një ish-pjesëtareje të UÇK-së nga Lugina e Preshevës, Linda Fetahu-Krivanjeva.

“Janar ‘99. Agu i parë pas masakrës së Reçakut, ishte pikëkthesa kur Linda Fetahu-Krivanjeva vendosi t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si infermiere e re, ajo u gjend pranë fëmijëve, të pambrojturve, të sëmurëve, të thyerve në moshë, të vrarëve e plagosurve, ushtarëve të lirisë në çastet më të vështira e në orët më të liga”, shprehet Cakaj.

“Ajo ende dhembshurisht kujton qëndrimin e parë përballë mortit: një vajzë 23-vjeçare, shtatzënë, e cila tre ditë pasi humbi fëmijën, shkoi edhe vetë në amshim, për të mbetur gjithmonë martire në mbamendjen e përbashkët të gjithë kombit shqiptar. Ato u bënë pluhur frymëzimi për çdo brez shqiptarësh më pas, ndërsa puna, loti e sakrifica e Lindës u bënë dielli i lirisë i më të dashurës tonë, Kosovë”, theksoi Cakaj.

Cakaj i lutet qytetarëve që të shpërndajnë sa më shumë histori për t’i dhënë krahë e jehonë rrëfimit madhështor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shumë faktorë. Meqë vij nga një territor ku është kryesisht i banuar nga serbë, konkretisht në Luginë të Preshevës dhe u rrita duke parë gjithë diskriminimin që mundet të bëjë një shtet ndaj një pakice kombëtare që jeton aty. Vendosa të vij në Ferizaj për të kryer shkollën e mesme të mjekësisë. Ardhja ime në Ferizaj dhe shkollimi im në Ferizaj lidhet prej fillimit deri në mbarim me protesta, me rezistencë, me dëshirën për të jetuar të lirë si të gjithë të rinjtë”, shprehet Linda Fetahu-Krivanjeva në rrëfim.

“Momenti kyç për t’iu bashkuar UÇK-së në territorin e Ferizajt ku unë kam jetuar ka qenë si vendimtar masakra e Reçakut. Meqë shkoja në shkollën e mesme të mjekësisë, atëherë unë zgjodha të punoj me të plagosurit në spitalin ushtarak të Mollopolcit”, tregon ajo më tej.

“Unë aty kam parë fëmijë, gra, pleq. Kam parë gjithçka që është e cenuar si shqiptarë. Viktimën e parë që kam parë, kur kam hyrë në luftën e UÇK ka qenë një grua shtatëzanë. Ajo humbi jetën. Një nënë 23-vjeçare që humb beben, edhe pas 3 ditësh humb jetën edhe ajo”, thotë ajo.

“Një moment që nuk e harroj kurrë gjatë luftës ishte periudha kohore kur bombardimet u intensifikuan shumë, të NATO-s, edhe filloi një inat shumë i madh i shtetit serb ndaj forcave të UÇK-së. Dhe si përfundim ne nga një shtëpi në tjetrën, nga një odë në tjetrën, nga një livadh në tjetrin, përfundojmë me një territor të improvizuar si shpellë në lug të Topillës, në territorin e Shtimes, me 76 të plagosur, me një të përpjetë shumë të vështirë për të ecur. Aq më tepër kur i kishim të plagosur të palëvizshëm, ndër ata të plagosur kishte dhe civilë, kishte dhe ushtarë. Ishim edhe ne personeli që përveç të plagosurve, duhet të mbanim edhe ushqimin dhe materialin medicinal”, nënvizon ajo.

“Qëndrimi aty tre ditë dhe shumë i vështirë, ku nuk kishte as ujë me pi. E kujtoj një moment që nuk më hiqet kurrë. Një ushtar ndërron jetë, ai non-stop rënkon dhe kur përfundon jeta e tij ishte pothuajse në moshën time, pyesin shokët e dhomës. “Pse u ndal?”, “Nuk po flet më”? Ne u themi “e zuri gjumi”. Momenti kur ti nuk guxon me kallxu se ndërroi jetë, se bie morali shumë dhe demoralizim total i të plagosurve të tjerë. Përveç të gjithave, përveç kujdesit, na duhej t’i ushqenim të plagosurit, duhej me e mbajtë qëndrimin tonë, fytyrën tonë, me e rrit moralin te të tjerët që na nuk po dorëzohemi. Ne kemi me e fitu luftën dhe kanë me na ardhë ditë të mira për neve”, thotë ajo.

“Në atë territor ka pasur shumë civile të strehuar nëpër tenda, me qindra-mijëra. Edhe gëzimin që e kujtoj, janë lindjet që i kanë kryer gratë nëpër male. Kur na lindshin bebet  mendonim se pavarësisht vrasjeve, po ndodhin prapë lindje të reja dhe ky vend do të rilindë, nuk do të zhdukemi asnjëherë”, thotë Linda.

“Do ta kisha bërë të njëjtën gjë po të ishte nevoja, patjetër nesë do kisha energjinë dhe fuqinë”, tregon ajo.

“20-vjeçarët e lirisë do i kisha përfshirë, dhe dy djemtë e mi që i kam, 15 dhe 16 vjeç. Ju kisha dhënë mesazhin ta duan këtë flamur, ta duan këtë shtet dhe të ndihen krenarë me të kaluarën e vendit të vet, se aq shumë u bë punë dhe u bë rezistencë sa është shumë e dhimbshme. 20-vjeçarët nuk duhet ta mendojnë se gjithçka erdhi se deshti fati. Se fati nuk erdhi pa e pas lyp na vetë. Na u desh shumë punë, shumë sakrificë, shumë jetë të humbura për me ardh sot këtu ku jemi”, përfundon rrëfimin e saj Linda Fetahu-Krivanjeva. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.