TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dekoroi me Medaljen e Trimërisë dy oficerët e Antiterrorit, drejtorin Gledis Nano dhe oficerin Indrit Doda, për kontributin në shpëtimin e jetës së disa fëmijëve që u evakuuan nga kampet në Siri.
Në Ministrinë e Brendshme u organizua një ceremoni për dorëzimin e medaljeve, ku morën pjesë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij Lleshaj theksoi se “para një viti ose më shumë se një viti, kur në Shqipëri dhe në Itali ziente opinioni publik lidhur me fatin e një djali shqiptar që ishte pothuajse peng në kampin Al Hol në Siri, Alvin Berishën, thirra drejtorin e Antiterrorit Gledis Nanon në zyrë dhe e pyeta në mënyrë të shkurtër, të drejtpërdrejtë: “Çfarë do të kishe bërë ti Gledis nëse në Al Hol do të ishte djali yt?” Dhe Gledisi m’u përgjigj pa u menduar asnjë sekondë: “Do të isha nisur për atje, do të isha nisur për në Al Hol”.
“Atëherë i thashë: “Dakord, dhe konsideroje atë djalin si djalin tënd dhe bëhu gati për të shkuar atje në kohën më të parë të mundshme”. Kështu ndodhi. Ai filloi të përgatitej për të shkuar në Al Hol. Rrethanat e sollën, që pas disa kohësh u mundësua vajtja jo në Al Hol, por në Liban, ku vendosa të shkoj edhe vetë, kryesisht në shenjë respekti të gatishmërisë të këtij oficeri policie, i cili m’u përgjigj pa hezitim. Por edhe për të parë mundësitë e vijimit të këtij operacioni. Jeni në dijeni që operacioni atëherë përfundoi me sukses, Alvin Berisha u kthye në shtëpi”, – u shpreh Lleshaj.
“Që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në nëntor të këtij viti, vazhdoi përpjekja për të tërhequr nga kampi Al Hol edhe fëmijë të tjerë dhe kampe të tjera në Siri. Ju e dini që në nëntor të këtij viti u realizua edhe tërheqja e një grupi tjetër fëmijësh, ndërkohë që ende ky operacion vazhdon, me shpresën që të gjithë ata fëmijë, viktima të papërgjegjshmërisë së prindërve, familjarëve të tyre, të lidhur me rrjetet e terrorit ndërkombëtar, të mund të kthehen në shtëpi, të largohen nga ferri i kampeve të Sirisë; të mund të afrohen pranë familjeve të tyre, të afrohen tek jeta normale, sociale, familjare, të edukohen, të shkollohen dhe të mos rriten si fëmijë të terrorit, por si fëmijë të Shqipërisë”, – nënvizoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj u shpreh se “çdo fëmijë i kthyer nga kampet e Sirisë në Shqipëri është një shqiptar më shumë dhe një terrorist më pak”.
“Ndaj në vlerësim të të gjithë kësaj përpjekjeje, këtij kontributi, kam vendosur edhe si akt të fundit në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, të firmos dy urdhra për akordim medaljesh, për Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano dhe bashkëpunëtorin e tij, Indrit Doda, dy oficerë, të cilët, siç e keni parë edhe ndjekur të gjithë, kanë qëndruar pas këtij operacioni, kanë mbajtur barrë, kanë rrezikuar bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb dhe me shumë bashkëpunëtorë të tjerë ndërkombëtarë; kanë punuar, kontribuar kanë rrezikuar realisht, në emër të shpëtimit të jetës së disa fëmijëve që janë evakuuar dhe të tjerëve që do të evakuohen, shpresojmë, sa më shpejt”, – vuri në dukje Lleshaj.
Përmes këtij akti, vijoi Lleshaj, dua të falënderoj për kontributin e dy oficerëve të Policisë Shqiptare, ashtu sikundër pas të cilëve është e gjithë Policia Shqiptare, e cila është një polici që ka kryer e vazhdon të kryejë me përgjegjësi detyrat e saj ndaj qytetarëve, ndaj sigurisë publike, ndaj rendit publik.
“Policia në tërësi, Drejtoria e Antiterrorit duhet që ta vazhdojnë operacionin për tërheqjen e fëmijëve të tjerë. Siç thashë, çdo fëmijë i kthyer në Shqipëri është një shqiptar më shumë, ndoshta jo thjeshtë një shqiptar më shumë, por ndoshta një gjeneracion i tërë që vjen pas tij, më shumë, edhe një terrorist më pak, apo shumë terroristë më pak. E di që operacioni është në zhvillim e sipër, e di që puna ka ecur mjaft mirë dhe jam shumë optimist, që do të jeni në gjendje ta finalizoni me sukses këtë atë. Ndërkohë, që është po me aq rëndësi të përmendet dhe nevoja për ta vazhduar me seriozitet angazhimin tonë kundër terrorit”, – tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj theksoi se “përfshirja e shqiptarëve në konfliktin në Siri, përfshirja e shqiptarëve në rrjetet e terrorit është një episod i pahijshëm në historinë tonë si komb. Nuk ka qenë, nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë çështje e shqiptarëve bashkimi me rrjetet terroriste kudo qofshin nëpër botë. Por në të njëjtën kohë ne, Policia e Shtetit, sidomos Drejtoria e Antiterrorit do të duhet ta vazhdojë, si deri më sot, angazhimin e saj për t’u përballur me terrorizmin”.
Ndaj, shtoi Lleshaj, është shumë e rëndësishme që puna të vazhdojë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandalshme. Për ta mbajtur Shqipërinë larg, për ta mbajtur Shqipërinë të paprekur, për t’i mbajtur shqiptarët larg, për t’i mbajtur shqiptarët të pa përfshirë në rrjete dhe në veprimtari terroriste.
“Policia e Shtetit është sot struktura më e besueshme për qytetarët shqiptarë dhe duhet të vazhdojë të mbetet por dhe ta thellojë nivelin e bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve shqiptarë. Policia e Shtetit është struktura që i ka dhënë shumë sigurisë, qetësisë dhe normalitetit të jetës së shqiptarëve. I ka dhënë jetë nga njerëzit e saj, i ka dhënë orë të pafundme shërbimi, orë të pafundshme kontributi, përpjekje, sakrifica. Dhe kjo sakrificë, dhe ky kontribut është i njohur nga shqiptarët, këtë kontribut e njoh edhe unë, e vlerësoj, ju falënderoj për këtë dhe ju inkurajoj që ta vazhdoni më tej”, – nënvizoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj tha se “jam i bindur që ju do ta kryeni me nder dhe dinjitet misionin që keni para qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e deritanishme dhe gjendja aktuale e parametrave kryesorë që karakterizojnë punën e Policisë së Shtetit flasin për tregues më të mirë në historinë e 30 viteve të fundit dhe detyra është për t’i thelluar ato më tej. Drejt përmirësimit të vazhdueshëm të këtyre parametrave në shërbim të jetës dhe të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”./k.s/j.p/r.e/























