Mbi 900 tonë mandarina u eksportuan gjatë javës së fundit të nëntorit

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Sektori i agrumeve në Shqipëri është një tjetër grup me rekorde pozitive të prodhimit dhe eksporteve në strukturën e sektorit bujqësor, që është shumëfishuar në shifra reale në këto vitet e fundit.

Sipas statistikave zyrtare nga qendra e eksporteve Vlorë, eksportet e mandarinave gjatë javës 20 deri 27 nëntor 2020, kapën shifrën e mbi 900 tonëve. Ndërkohë që sasia e eksporteve të këtij agrumi në një ditë shkon deri në 250-300 tonë.

Tregjet kryesore ku eksportohen mandarinat janë në Kosovë, Maqedoni e Veriut, por është konsoliduar tashmë eksporti i tyre edhe drejt Polonisë, Çekisë, Gjermanisë e Ukrainës.

Vitet e fundit prodhimi i agrumeve është trefishuar në mbi 50.882 tonë, kundrejt 13.336 tonëve që ishin në 2010.

Ndërsa prodhimi i mandarinave në harkun e 9 viteve u rrit në shifra dyshifrore.

Eksporti i mandarinave shënoi rreth 14 mijë tonë në vitin 2019, nga 0 eksporte që shënonte Shqipëria në vitin 2010.

Ndërsa importi i mandarinave u ul në 2250 tonë në 2019, nga mbi 11 mijë tonë që importoheshin në vitin 2010. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.