Shpyllëzimi në Amazonë në nivelin më të lartë që nga viti 2008

RIO DE ZHANEIRO, 1 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shpyllëzimi i pyjeve të shiut në rajonin e Amazonës, në Brazil, ka arritur nivelin më të lartë në 12 vjet, paralajmëroi sot Agjencia Hapësinore Inpe, përgjegjëse për monitorimin e pyjeve.

“Midis gushtit 2019 dhe korrikut të vitit 2020, 11 088 kilometra katrorë xhungël u prenë në rajon, që përfaqëson zonën më të madhe të shpyllëzuar që nga viti 2008”, tha Inpe.

Kjo korrespondon me rreth 4 340 fusha futbolli në ditë ose tre fusha futbolli në minutë dhe, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpyllëzimi u rrit me 9,5 %.

Pylli i Amazonës është gjithashtu nën kërcënim edhe në vende të tjera, përfshirë Kolumbinë, ku grupet e armatosura përzënë rojat nga zonat e mbrojtura, sipas Fondit Botëror për Natyrën.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro e sheh rajonin kryesisht si një potencial ekonomik të pashfrytëzuar dhe dëshiron të zhvillojë edhe më shumë tokë për bujqësinë, minierat dhe prodhimin e energjisë.

“Vizioni i zhvillimit të qeverisë Bolsonaro për rajonin e Amazonës na kthen në të kaluarën, me norma shpyllëzimesh që nuk janë arritur që nga viti 2008”, tha Cristiane Mazzetti, kreu i organizatës për mbrojtjen e mjedisit “Greenpeace”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.