Njësi e re në terren për kontrollin e maskave/ Rama: Synimi jo ndëshkimi i shkelësve, të shmangim me çdo kusht një mbyllje të dytë


TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se taskforca antiCOVID funksionon për të penguar përshkallëzimin e përhapjes së sëmundjes si dhe për të shmangur një mbyllje të dytë.

Gjatë një takimi me taskforcën për zbatimin e masave antiCovid, Rama tha se, “kjo e sotmja është një përpjekje e shtuar për të bërë gjithçka që ne kemi mundësi që të realizojmë një qëllim me dy objektiva”.

“Objektivi i parë, të pengojmë përshkallëzimin e përhapjes së infeksionit jashtë një ritmi të arsyeshëm dhe ritmin e arsyeshëm mund ta përcaktojmë vetëm ne njerëzit, në mënyrë që të mbrojmë ata që janë më të dobët dhe të mbrojmë sistemin tonë nga një mbingarkesë që mund ta bënte objektivisht të pamundur shërbimin ndaj shumë qytetarëve, të cilët mund të mos preken nga COVID, por kanë nevojë për shërbimet e përditshme në shëndetësi. Dhe objektivi tjetër, jo më pak i rëndësishëm për hir të së vërtetës, për të shmangur me çdo kusht një mbyllje tjetër. Një mbyllje tjetër e cila po tmerron gjithë botën, që nga Presidenti i Francës, një nga fuqitë më të mëdha të botës në aspektin ekonomik, i cili e tha hapur përpara popullit të tij që Franca nuk e përballon dot një mbyllje tjetër, tek Kancelarja e Gjermanisë, e cila tha shprehimisht, ndër të tjera përpara popullit të saj, se jeta siç e njohim do të rikthehet, por ky është momenti që të bëjmë më shumë durim se asnjëherë, për të mos përmbysur brenda pak kohësh të gjitha sakrificat shumë mujore pas shpërthimit të pandemisë”, u shpreh Rama.

Prandaj, tha Rama, “ne kemi vendosur të krijojmë këtë rrjet inspektoratesh që funksionojnë në ditë normale në mbrojtje të shëndetit të njerëzve, funksionojnë në kohë normale për sigurinë e jetës, që nga puna, tek mjedisi, tek ushqimi, natyrisht tek barnat dhe tek shëndeti. Dhe për të qenë në rrugë, kudo ku, sipas hartës së vënë në dispozicion dhe të përditësuar çdo javë, janë edhe burimet më të mëdha të rrezikut. Për të qenë në rrugë jo për të vënë gjoba. Gjobat i vë policia. Por për të sensibilizuar, për të komunikuar dhe natyrisht edhe për të lajmëruar policinë që të bëjë detyrën”.

Disa prej Inspektorateve Shtetërore janë grumbulluar në një “taskforcë” antiCOVID, qëllimi i së cilës do të jetë të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e mbajtjes së maskave.

Inspektorët që do të shpërndahen në terren nga dita e sotme i përkasin Inspektoratit të Shëndetit, Inspektoratit të Punës, atij të Pyjeve dhe Agjencisë së Barnave.

Inspektorët janë të pajisur me jelekë jeshilë, në të cilën në një rreth të kuq të madh shkruhet vetëm: “Mbani maskën!”

Detyra e inspektorëve do të jetë të ndalojnë qytetarët pa maskë, duke i këshilluar që ta vendosin atë, pa pasur juridiksion për të vendosur gjoba, diçka që mund ta bëjë vetëm Policia e Shtetit.

Në pesë ditët e para që prej miratimit të aktit normativ që vendos me detyrim mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet publike, në total janë vendosur 2800 gjoba me vlerë 3 mijë lekë.

Kryeministri Rama, më herët shpjegoi se vlera e gjobës është zgjedhur që të jetë e ulët, ndryshe nga vende të tjera si SHBA ku gjoba shkon deri në 15 mijë dollarë apo në BE, ku ajo varion mesatarisht 1 mijë euro.

Kjo sepse sipas kreut të qeverisë synimi në vetvete nuk është disiplinimi dhe ndëshkimi i rëndë i shkelësve, por ndërgjegjësimi kolektiv për rrezikshmërinë e epidemisë së COVID-19.

“Nuk jemi në këtë luftë as vetëm dhe as të vetmit. Jeta që njohim do të rikthehet thotë Kancelarja Merkel, por ky është momenti që si individë të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, veçanërisht të afërmit tanë me probleme shëndetësore dhe në moshë të tretë”, theksoi Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe deklaratave të djeshme të Presidentit Meta për Aktin Normativ për vendosjen me detyrim të maskës dhe gjobitjen.

“Kemi vendosur një gjobë për maskën dhe çohet presidenti i Republikës dhe flet për gjobën, për maskat si shantazh ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, sepse për të që vetëm president i Republikës nuk është, nuk ka rëndësi fare, asgjë tjetër përveçse si të helmojë dhe të dëshpërojë popullin e vet, në mënyrë që pastaj kur të vijnë zgjedhjet të mbledhë çfarë të mundet për atë shpk-në e tij të falimentuar dhe të degraduar nga helmi dhe nga dëshpërimi”, tha Rama.

Gjithashtu, Kryeministri iu përgjigj akuzave të opozitës për ezaurimin e vendeve në spitale apo mostrajtimin e pacientëve.

“Del ky tjetri. Coli me Lolin. Coli dhe Loli. Kapacitetet janë ezauruar. Spitalet janë tejmbushur. Nuk ka vend në spitale, njerëzit po lihen rrugëve. Çfarë janë këto. Këto janë skandale morale të pagëlltitshme. Sepse faktikisht sot ne jemi absolutisht të përgatitur për më të keqen, por duam ta mbajmë më të keqen larg. Sot ne nuk kemi problem kapacitetesh në spitale. Në dy spitalet COVID sot kemi ¼ e kapacitetit bosh akoma, por ritmi i numrave tregon që mund të mbushen në një kohë të shkurtër. Dhe nëse ne nuk bëjmë secili tonën mund të mbushen në një kohë edhe më të shpejtë. Dhe ky është çelësi që ne duhet ta mbajmë në dorë dhe s’duhet ta na e marrë çelësin armiku i padukshëm”, u shpreh Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.