Ballina Aktualitet

Meta: Monika braktisi Parlamentin kundër dëshirës dhe vullnetit tim

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kanë reaguar sot pas fjalës së Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste.

“Unë e dua më shumë Margaritën se Monikën! E di pse? Se Monika braktisi Parlamentin kundër dëshirës dhe vullnetit tim, ndërsa Margarita në moshën 16-vjeçare shkruante në hartim: “Më pyet shpesh vëllai më i vogël: Motër përse na duhet Atdheu? Dhe unë i përgjigjem: Atdheu na duhet që të jemi të lirë!. Nuk ka Atdhe në botë pa Dëshmorë dhe Heronj o Spiropalist”, tha Meta.

Gjithashtu në reagimin e tij Meta tha se, “nuk bëj aktrime me historinë e kombit tim dhe familjes time! As politikë për vota”.

“Unë kam lindur në Çepan, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe u jam shumë mirënjohës prindërve të mi. Shtëpia ku linda unë në 24 mars 1969 ishte spital partizan për Jugun e Shqipërisë. Në këtë shtëpi erdhën dhjetëra partizanë, pa këmbë e pa krahë. Në themelet e kësaj shtëpie edhe sot është gjaku i tyre”, theksoi Meta.

“Unë isha ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, por kurrë nuk e vura në diskutim gjakun e tyre. Se gjaku nuk bëhet ujë. Jam Ilir Meta dhe përballë do më keni gjithmonë!”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në reagimin e saj u shpreh se, “LSI vazhdon të ngrihet sot në përgjegjësinë e asaj force politike që në 2010-ën u dha qytetarëve shqiptarë liberalizimin e vizave, atë të cilën Edi Rama prej vitesh e bllokonte”.

Krymadhi deklaroi se largimi i LSI nga koalicioni me PS në vitin 2017 ishte vendimi më mirë që ka marrë kjo forcë politike.

“Mos pranimi i LSI për vijimin e mandatit me Ramën është një nga vendimet më të mira që LSI ka marrë sepse kjo do të ndante njëherë e përgjithmonë zullumin dhe llumin që Rama kishte futur jo vetëm qeverinë shqiptare, por dhe PS-në dhe gjithë shqiptarët në varfërinë që vinte më pas”, tha Kryemadhi.

Ajo falënderoi të rinjtë dhe të rejat e LSI, të cilët tha Kryeamdhi, “i kanë kallur datën Ramën sa gjithë fjalimi i tij i kushtohej LSI dhe Monikës. Nuk po merrem me presidentin se presidenti ia kthen vetë përgjigjen”. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku: Shqipëria reale ajo e pagave më të ulëta në rajon
Artikulli tjetërCOVID -19 – Sërish rekord rastesh të reja, mbi 20 000 në 24 orët e fundit