TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë sot në Tiranë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, vijim i traditës së nisur tashmë mes dy vendeve.
Sipas axhendës zyrtare në orën 11:00 pritet të zhvillohet ceremoniali shtetëror i këtij takimi të rëndësishëm. Në orën 11:30 çelet sesioni plenar i mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ku kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti do të mbajnë fjalën e tyre në mbledhjen e përbashkët.
Po ashtu fjalë të shkurtra do të mbahen nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim. Më pas, kryeministri Rama përmbyll sesionin plenar.
Në orën 12:45 do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare. Ndërsa në orën 13:00 do të ketë konferencë të përbashkët për shtyp të dy kryeministrave.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014, duke u cilësuar si takim historik.
/k.s/j.p/r.e/


















