GJERMANI – Navalny: Mirënjohës për vizitën e Merkelit

BERLIN, 28 shtator /ATSH-DPA/- Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi disidentin rus Alexei Navalny, i cili është duke u shëruar në një spital të Berlinit pas helmimit me një agjent nervor në Rusi.

“I jam shumë mirënjohës kancelares Merkel për vizitën që më bëri në spital”, tha Navalny në një deklaratë në Twitter.

“Ishte një takim pozitiv, më shumë si një takim privat dhe bisedë me familjen time’’, theksoi Navalny.

Laboratorët gjermanë, suedezë dhe francezë konstatuan se ai ishte helmuar me agjentin nervor Novichok. Ai ishte sëmurur gjatë një udhëtimi në një fshat në Siberi.

Novichok u përdor gjithashtu në helmimin gati fatal të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia në qytetin jugor anglez të Salisbury dy vjet më parë.  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.