Qeveria e Kosovës miraton 14 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë, themelohet edhe Zyra për Luginën

PRISHTINE, 28 shtator /ATSH/ Qeveria e Kosovës miratoi sot 14 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë. Të njëjtat pritet të nënshkruhen të premten në mbledhjen e dy qeverive.

Ndër të tjera, më 2 tetor në mbledhjen e dy qeverive pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja për krijimin e fondit të përbashkët për mbështetje të shqiptarëve në Luginë. Po ashtu, Qeveria e Kosovës sot ka votuar për themelimin e zyrës për Luginën e Preshevës, përmes së cilës, kryeministri tha se do të mbështesin shqiptarët.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti tha se në ditët në vijim do të takojë edhe përfaqësuesit e Luginës.

Ai tha se përmes Zyrës për Luginën e Preshevës, do të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e shqiptareve atje në fushën e arsimit dhe të tjera.

“Në mbështetje të shkollave, furnizimit me libra, me materiale të ndryshme mësimore, mbështetje në aktivitetet kulturore, në promovimin dhe ruajtjen e kulturës në atë pjesë, në mbështetje që do të japim në punim, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave ekonomike, në mes bizneseve dhe duke promovuar drejtpërdrejtë punësimin, përtej kësaj, në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë më Shqipërinë do të jetë edhe krijimi i fondit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Hoti.

Këtë, Hoti e konsideroi si arritje të madhe të qeverisë që ai e drejton ku shtoi se ky është hapi i parë për të ndihmuar formalisht qytetarët në Luginën e Preshevës.

Mbledhja e dy qeverive pritet të mbahet të premten në Shkodër, ku janë 15 marrëveshje që pritet të nënshkruhen, e ndër të tjera edhe një deklaratë e përbashkët e dy kryeministrave të cilët rekomandojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve.

Mbledhja e dy qeverive pritet të mbahet të premten në Shkodër, ku janë 15 marrëveshje që pritet të nënshkruhen, e ndër të tjera edhe një deklaratë e përbashkët e dy kryeministrave të cilët rekomandojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve.

Lista e marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve dhe dokumenteve të tjera të miratuara nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme:

  1. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
  2. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
  3. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
  4. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
  5. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
  6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
  7. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
  8. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
  9. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
  10. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
  11. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës ;
  12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
  13. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
  14. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave ./KosovaPress/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.