Ballina Ekonomi

Lushnjë-Fier/ Kondi për ATSH-në: 128 trajlerë me prodhime bujqësore u eksportuan në dy javët e para të shtatorit 

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ 128 trajlerë me prodhime bujqësore janë eksportuar gjatë dy javëve të para të muajit shtator, nga qendrat e grumbullimit në Lushnjë dhe Fier.

Lindita Kondi, përgjegjëse në qendrën e eksporteve në Vlorë, tha për ATSH-në, “se ndonëse është fundi i sezonit për prodhimet e dyta në serra, domatet, speci, kastraveci e kungujt kryesojnë eksportet edhe në këtë periudhë, përkatësisht në sasitë 800 tonë, 630 tonë, 312 tonë dhe 130 tonë”.

“Gjatë periudhës 1 deri 15 shtator nga qendrat e grumbullimit bujqësor të Lushnjës dhe Fierit, janë nisur për eksport 128 kamionë trajlerë”, tha Kondi për ATSH-në.

Sipas saj, nga tregu i Lushnjës dhe i Fierit janë eksportuar 2 183 tonë prodhime bujqësore të freskëta në mbi 15 shtete të rajonit dhe BE-së, vetëm në dy javët e para të shtator 2020, shifër kjo 5% më e lartë se në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Kondi tha se gjatë kësaj periudhe po eksportohen në sasi të konsiderueshme edhe produktet si lulelakër, bamje, karota, brokoli, pjepër e presh, krahas pemëtoreve si fiq, pjeshkë e fruta pylli.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis procesi për ndërtimin e pallateve të reja/ Veliaj: Familjet do marrin bonusin e qirasë derisa të marrin çelësin e shtëpisë
Artikulli tjetër“Në 7 vite shkundëm pluhurin e harresës në Tropojë”/ Qendra e re turistike e Valbonës hapi dyert për turistët që të shijojnë mrekullitë e alpeve