Ballina Flash

Prezenca e OSBE-së trajnon 15 oficerë të strukturave antidrogë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi nga 22 deri më 25 shtator një kurs për hetimin e drogës, për 15 oficerë policie nga strukturat antidrogë të Policisë së Shtetit.

Kursi kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në asgjësimin e  grupeve të organizuara kriminale të specializuara në trafikimin e drogës, edhe duke shtuar njohuritë e tyre rreth mënyrave të reja të funksionimit të zinxhirëve kriminalë.

Trajnimi ishte pjesë e një projekti më të madh të Prezencës së OSBE-së në mbështetje të policisë shqiptare për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe për të luftuar krimet e rënda dhe të organizuara.

Gjatë viteve të shkuara, Prezenca i ka kushtuar rreth tre të katërtat e veprimtarive të saj me policinë trajtimit të kërcënimeve që sjell veprimtaria kriminale, si edhe ka mundësuar pjesëmarrjen e oficerëve të Policisë së Shtetit në konferenca dhe trajnime ndërkombëtare për të forcuar kapacitetet e tyre profesionale në hetimin e çështjeve të drogës. Po ashtu, Prezenca kontribuoi në planin kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020.

Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri për të rritur kapacitetet e tyre dhe, veçanërisht për të përmirësuar aftësitë e tyre hetuese në çështjet e drogës dhe të krimit të organizuar. ​

/gj.mima/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjerohet rrjeti i ujësjellësit në Bathore/ Pas 30 vitesh, merr zgjidhje problematika më e madhe e kësaj zone
Artikulli tjetërMbështetja në Krujë pas tërmetit/ Kryebashkiaku Bushi: PD përdor politikisht qytetarët, të gjitha rastet kanë marrë përkrahje