Ballina Aktualitet

U rindërtua nga themelet/ Mjedise e laboratorë të standardeve europiane për kontrollin e cilësisë së barnave

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është investimi më i ri i qeverisë shqiptare me laboratorë të standardeve europiane.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje se në çfarë gjendje ishte kjo agjenci dhe si u transformua duke vendosur standardin e munguar në strukturën e vetme të kontrollit të cilësisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore në vend.

“Mirëmëngjes dhe me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si ishte në kohën e atyre që sot duan të rikthehen se u shkatërrua shëndetësia, e si është sot, pas rindërtimit nga themelet, me mjedise e laboratorë të standardeve europiane për kontrollin e cilësisë së ilaçeve, ju uroj një ditë të mbarë”, – theksoi Rama.

Kjo agjenci tashmë disponon kushtet për të qenë një rregullator i mirëfilltë i tregut dhe shërbimit farmaceutik, nga produktet e importit tek prodhimi vendas, njësoj si simotrat në Europë.

Laboratorët e rinj të ndërtuar e pajisur janë garancia për të rritur sigurinë e barnave. Me ndërtimin e kësaj agjencie dyfishohet numri analizave dhe gama e tyre, duke realizuar analiza për kategori barnash që nuk janë kryer ndonjëherë, si p.sh., ato citostatike tumorale, imunoterapitë dhe gjithë kategoritë e tjera të produkteve farmaceutike, duke aplikuar procedurat e Farmacopesë Europiane, ku Shqipëria është  tashmë anëtare.

Laboratorët e rinj, me pajisjet e reja, do të sjellin ndryshimin e pritshëm sa i përket kontrollit dhe cilësisë së barnave në treg. /z.t/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“110 vjet me Nënë Terezën”, ekspozohen mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaj
Artikulli tjetërBRAZIL – Vaksina ”Coronavac” e disponueshme që prej dhjetorit 2020