BRAZIL – Vaksina ”Coronavac” e disponueshme që prej dhjetorit 2020

SAO PAOLO, 10 shtator /ATSH-AFP/ – Guvernatori i Sao Paulos theksoi se provat klinike në Brazil të një vaksine të prodhuar nga laboratori kinez, ”Sinovac” kishin rezultuar pozitive dhe se një fushatë imunizimi në shkallë të gjerë mund të fillojë që prej dhjetorit. 

Vaksina e quajtur ”CoronaVac” është aktualisht në fazën e tretë, e fundit prej provave klinike para miratimit. Ajo u testua në mijëra vullnetarë në gjashtë shtete të vendit, mes të cilëve Sao Paulo, vendi më i prekur me më shumë se 850 000 raste dhe 31 430 të vdekur.

Sipas guvernatorit, Joao Doria, kjo vaksinë ka shkaktuar një përgjigje imunitare tek 98% e pacientëve, me moshë mbi 60 vjeç, pa efekte anësore.

“Rezultatet janë shumë pozitive”, theksoi ai në një konferencë shtypi.

“Ne mund të imunizojmë brazilianët në Sao Paulo dhe në të gjithë vendin. Parashikimi është që ajo të jetë e disponueshme që prej dhjetorit”, shtoi ai.

Testimet në Brazil janë kryer nga Instituti publik i referencës ”Butantan”, që mund të prodhojë 120 milionë doza që prej fillimit të vitit 2021, nëse rezultatet janë përfundimtare./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.