Ballina Flash

Durrës/ Miratohet lista e familjeve përfituese nga programi i Rindërtimit për banesa individuale

TIRANË 30 gusht /ATSH-I.Vata/ Këshilli bashkiak i Durrësit në mbledhjen e sotme jashtë radhe ka miratuar listën e përfituesve nga programi i Rindërtimit në njësitë administrative nr. 1, 4, 5, Rrashbull, Sukth, Katund i Ri, Ishëm si dhe vijimin e procedurave të prishjes së detyruar të 3 pallateve të ndodhura në njësitë administrative nr. 2, nr. 3 dhe nr. 4.

Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar me mjete të komunikimit elektronik një mbledhje jashtë radhe ku janë miratuar disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me procesin e rindërtimit por edhe çështje të tjera ndërkohë që është miratuar edhe lista e 5-të me subjektet që përfitojnë nga granti për rikonstruksion e që janë kualifikuar pas shqyrtimit të ankimimeve.

Këshilli bashkiak vendosi miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin gusht 2020, vijimin e procedurës së miratimit të planit të detyruar vendor pikësor për 4 banesat kolektive të bashkisë Durrës, vijimin e procedurave të prishjes së detyruar të 3 pallateve të ndodhura në njësitë administrative nr. 2, nr. 3 dhe nr. 4 në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit Tiranë dhe rindërtimin e tyre në të njëjtin truall, miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr. 1, 4, 5, Rrashbull, Sukth, Katund i Ri, Ishëm, bashkisë Durrës, që do të përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për banesat individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Po ashtu, këshilli bashkiak miratoi ndryshimin për sa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve shkaktuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit të shkaktuar.

Gjithashtu, këshilli bashkiak miratoi sot dhe dhënien e ndihmës financiare, sipas listës së pestë me subjektet përfitues të programit të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve shkaktuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019. /j.p//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakERE, nis hartimi i rregullores për përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së furnizuesit
Artikulli tjetërDANIMARKË- Ekonomia pritet të tkurret me 4,5 %