Zjarret/ Xhaçka: 200 djem e vajza të FA të angazhuar, kjo është betejë e të gjithëve

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ “Forcat e Armatosura janë angazhuar maksimalisht në përballimin e situatës së krijuar në vend nga zjarret në pyje e kullota, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Por kjo betejë, nuk është vetëm e Forcave të Armatosura”, – deklaron ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Zjarret masive që kanë goditur pyjet e kullotat ditët e fundit kanë marrë përgjigjen tonë të menjëhershme. 200 djem e vajza të Forcës së Armatosur të angazhuar në Seman, Shkodër, Lezhë etj po japin maksimumin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare”, – thekson Xhaçka.

“Dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë me çdo mundësi, çdo burim, aset e mjet që kemi. Por kjo nuk mund të jetë vetëm beteja e FA. Kjo duhet të jetë beteja e të gjithëve ne, e çdo qytetari, e mbi të gjitha e çdo strukture të pushtetit vendor që ligji e ngarkon me përgjegjësi për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë”, – nënvizon Xhaçka.

Nga muaji janar deri në korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri. Në total në të gjithë Shqipërinë janë djegur 598 hektarë, duke përfshirë dhe 2419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.