Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, masa të shtuara për të përballuar rreziqet e COVID-19

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim reduktimin e riskut të mundshëm nga situatat e krijuar nga COVID-19, u ka kërkuar operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje që të përditësojnë të dhënat dhe të kenë funksionale planet e përballimit të krizave, ku të detajohen të gjithë elementët teknikë, logjistikë, njerëzorë dhe financiarë për përballimin e efekteve të mundshme.

Në një udhëzimi të posaçëm AMF u kërkon shoqërive të sigurimit dhe shoqërive administruese që të marrin masat për të siguruar vazhdimësinë e biznesit; Të mbajnë nivelin e përshtatshëm të likuiditetit, të marrin masa të tjera të nevojshme për të ruajtuar pozicionin e treguesve si dhe të informojnë menjëherë Autoritetin në rast të shkeljes së këtyre treguesve. Sigurimeve u kërkohet të shikojnë mundësinë e ndryshimit të marrëveshjeve të risigurimit, për të kufizuar ekspozimin ndaj COVID-19, duke marrë në konsideratë një nivel mbajtjeje agregate, për të gjitha ngjarjet që mund të ndodhin brenda vitit si pasojë e COVID-19.

Gjithashtu citon udhëzimi  AMF-së, institucionet e varësisë duhet të marrin masa për të përditësuar faqet zyrtare të internetit, Të rishikojnë kushtet e kontratave të sigurimit, për të reflektuar çdo ndryshim të ekspozimit të risqeve gjatë periudhës së pandemisë. Të kryejnë një vlerësim të produkteve të cilat mund të ndikohen nga pandemia duke informuar personat e siguruar si dhe të përditësojnë udhëzimet/procedurat e marrjes në sigurim në vijim të ngjarjes së COVID-19.

e.xh/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.