BERLIN, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Aplikacioni zyrtar i Gjermanisë për gjurmimin e rasteve me koronavirus nuk ka funksionuar siç duhet ose edhe nuk ka funksionuar fare në miliona smartfonë Android përgjatë një periudhe disa javore, sipas një raporti të medias gjermane, çka shkaktoi sot edhe irritimin e partive politike.
“Është me të vërtetë një pakujdesi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë me sa duket, që të fshehë faktin se nuk kishte paralajmërim (për funksionimin e aplikacionit – shën. i përkth.) për një kohë të gjatë për funksionimin e tij te pajisje të ndryshme”, deklaroi Frank Sitta, nënkryetari i grupit liberal-demokrat (FDP) në parlament.
Corona-Warn-App, siç dihet, punon duke paralajmëruar në mënyrë anonime përdoruesit nëse ata kanë rënë në kontakt me dikë që ka raportuar një infeksion të koronavirusin në këtë aplikacion.
”Sidoqoftë, shumë përdorues të telefonave Android nuk morën paralajmërime të tilla ose nëse e bënë atë, e kryen me shumë vonesë”, njoftoi dje tabloidi ”Bild”.
Në fakt, problemi ishte që një funksion i vazhdueshëm i përditësimit çaktivizohej automatikisht kur aplikacioni nuk ishte i hapur, çka sistemi operativ e bënte për të kursyer energjinë e baterisë.
Jens Zimmerman, zëdhënës i politikës digjitale për social-demokratët (SPD), i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn që të shpjegonte komentet e tij për këtë çështje për të përditshmen e biznesit ”Handelsblatt”.
“Është më shumë sesa irrituese që politikanët përgjegjës e mësuan këtë nga media. Do të shpresoja për një komunikim më të hapur nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Zimmerman.
SPD është në një koalicion të gjerë me kristian-demokratët e kancelares, Angela Merkel (CDU)./ a.jor.























