Problem mos depolitizimi i administratës zgjedhore

TIRANË, 23 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të gjithë duhet ta votojnë marrëveshjen e 5 qershorit, megjithëse shtoi ai nuk i pëlqen kjo marrëveshje pasi nuk përfshin depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Sot unë jam me mendje i bindur që do ta votojmë dhe duhet ta votoni të gjithë 5 qershorin, jo sepse mua më pëlqen. Nuk më pëlqen, përkundrazi unë kam një problem të madh me 5 qershorin, mos depolitizimin e administratës zgjedhore. Është fyese për Shqipërinë, është fyese për dhjetëra mijëra njerëz që janë në punë mësues, në radhë të parë dhe pastaj në të gjitha vendet e tjera të punës, që të konsiderohen hajdutë votash në potencë dhe ndërkohë administrimi politik të konsiderohet akoma si garanci për integritetin e procesit zgjedhor. Kjo është fyese”, tha Rama duke folur në Kuvend.

Por, shtoi Rama, “ky është lëshimi i madh. I pamerituar totalisht për Lulzim Bashën dhe lidershipin e opozitës jashtë parlamentare, por i merituar për votuesit e tyre, për zgjedhësit e tyre, për demokratët që s’duan të më shikojnë me sy mua, s’duan të shikojnë me sy qeverinë tonë, s’duan të shikojnë me sy PS në shumicë, sepse dhënia e mesazhit të barazisë në proces ka rëndësi për ta”.

Për ne, natyrisht, shtoi Rama, “ne nuk dalim të dëmtuar në sensin partiak.  E mirëkuptoj Myslym Murrizin kur thotë që ky është një skandal. Është skandal që në 2020-ën Shqipëria mos ua japë këtë detyrë mësuesve, mësueseve, njerëzve që punojnë në shtet, me idenë se ata mund të vjedhin”.

Ndërkohë që shtoi Rama, “e kam thënë dhe stërthënë, nuk njoh unë asnjë budalla në këtë vend që të shkojë në burg, të humbasë vendin e punës, për të numëruar mbrapsht votat për mua, për ne, për këdoqoftë. Edhe demokratin më ekstremist  është mësues, nëse është drejtor shkolle, nëse është nën/drejtor shkolle, nëse është në një punë shteti, unë e besoj po qe se i jepet administrimi i zgjedhjeve për një arsye shumë të thjeshtë, sepse si i tillë ai është drejtpërdrejt subjekt i kodit penal dhe i ligjit dhe nuk ka parti që e mbron dot. Gjë që nuk ndodh në shumë raste me militantët e partive, të cilët e ndiejnë si një detyrë të pathënë që të hyjnë në luftra politike, ndërkohë që duhet të bëjnë administrim zgjedhor dhe këtu nuk përjashtoj asnjë parti, nuk përjashtoj as partinë tonë”.

Nga ana tjetër, theksoi Rama, “ideja e përjashtimit të tyre dhe ideja e një administrate zgjedhore me persona që nuk janë as në punë dhe as në parti është një absurd. E para, duhen mijëra njerëz. E dyta, çfarë detyrimi ligjor do të kishte një avokat, do të kishte një veteriner, do të kishte një infermiere që punon në privat, do të kishte një arkitekt nëse do t’i thuhej ti duhet të shkosh të numërosh votat e Myslym Murrizit në Këmishtaj dhe çfarë pasoje do të kishte nëse do të thoshte nuk dua. Asnjë pasojë, nuk e detyron dot”.

Ndërsa, tha Rama, “ai që është administratë me ligj është i detyrueshëm, mund ta detyrosh dhe shkon dhe bën detyrën. Përndryshe, por me ligj ka pasojën e humbjes së vendit të punës. Përveç rasteve kur ka arsye madhore që duhet ta ketë të vërtetuar”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.