24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 2074 banorë dhe turistët e vijës bregdetare në Kavajë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 2074 banorë dhe turistët e vijës bregdetare Kavajë, garanton projekti i investimit të ri, të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) në këtë zonë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se, Këshilli Teknik i AKUM shqyrtoi e miratoi projekt-zbatimin për vijën bregdetare njësisë administrative Golem, bashkia Kavajë, për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit
Projekti në këtë vijë bregdetare ka konsideruar të përballojë zhvillimin urbanistik e turistik të zonës në perspektivë për 2 dekadat e ardhshme për të garantuar furnizimin e pandërprerë me ujë për popullatën dhe turistët.
Ky projekt i miratuar, i hap rrugë qeverisë qendrore për investime kapitale.
“Furnizimi me 24 orë i vijës bregdetare së Shqipërisë është objektiv strategjik bazuar në Master Plan, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe nxitjes së ekonomisë lokale dhe kombëtare”, njofton Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. /r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.