TIRANË, 1 korrik/ATSH/ “Zgjedhjet e 30 korrikut në universitete janë antikushtetuese”, deklaroi sot ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Në një dalje për mediat ajo u shpreh se, “zgjedhjet universitare janë ngjarja më domethënëse për demokracinë e universiteteve, por qeveria synon t’i shndërrojë ato në zgjedhje moniste për të emëruar më të besuarit në krye të fakulteteve dhe universiteteve, veçanërisht në Tiranë”.
“Nga pikëpamja ligjore, vendimi i qeverisë është antikushtetues. Nga pikëpamja njerëzore, është kriminal. Ai vë në rrezik shëndetin e studentëve dhe pedagogëve, të cilët i thërret në një proces zgjedhor, në një kohë kur numrat e të prekurve nga COVID dhe vatrat e infeksionit po rriten çdo ditë”, theksoi Vokshi.
“Rama kërkon të bëjë me universitetet atë që bëri me zgjedhjet e 30 qershorit, të emërojë njerëzit e tij, duke eliminuar çdo mundësi për garë të ndershme”, nënvizoi Vokshi.
/gj.mima/ /a.g//r.e/






















