TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Më shumë se 13 mijë punonjës nga rreth 4 500 biznese të regjistruara në qarkun e Shkodrës kanë përfituar pagën e luftës pas situatës së vështirë të krijuar nga epidemia e COVID-19, një mesazh ky i drejtpërdrejtë i qeverisë shqiptare se në ditë të vështira askush nuk është vetëm.
Drejtorja e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, vijoi turin e komunikimit me bizneset në qarkun Shkodër.
Sipas saj, në këtë qark 13 149 punonjës, nga 4 552 subjekte të regjistruara kanë përfituar pagën e luftës, si bonus i drejtpërdrejtë i qeverisë shqiptare.
Një nga përfaqësuesit e biznesit u shpreh se për shkak të vështirësisë së krijuar u detyrua të largonte një pjesë të punonjësve të tyre, ndërsa shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë që ofroi mbështetje përmes dy paketave financiare.
Ndërsa një tjetër përfaqësues i një kompanie që operon në fushën e transportit taksi bëri të ditur se kishte hasur vështirësi për pagesën e punonjësve të tyre, por kishte aplikuar për pagat e luftës dhe kishte siguruar pagesën për punonjësit tij.
Ai i prezantoi Drejtores së Tatimeve edhe aplikacionin e ri që po hidhte në dispozicion të klientëve të tij, që u mundëson atyre të dinë paraprakisht detyrimin që duhet të paguajnë për distancën që duan të përshkojnë.
Në një tjetër biznes transporti Drejtoresha e Tatimeve u informua se punonjësit e kishin përfituar ndihmën financiare nga qeveria.
Drejtoresha e Tatimeve tha se në të gjithë Shqipërinë janë rreth 11 mijë të punësuar në fushën e transportit që kanë përfituar pagën e luftës në 4900 biznese.
Ndërsa në një fabrikë të përpunimit të qumështit, Ibrahimaj tha se Qeveria i ka mbështetur gjatë gjithë kohës së epidemisë bizneset me pagat e punonjësve të tyre.
/a.gjonaj/ /a.g//r.e/






















