Gjiknuri: Vota e diasporës ka gjetur zgjidhje në Kodin Zgjedhor, ndryshimi i sistemit në një fazë të dytë para zgjedhjeve

TIRANË, 8 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “vota e diasporës është një element që ka gjetur përgjigje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor”.

Gjatë një interviste televizive, Gjiknuri foli për tri kërkesat e opozitës parlamentare të cilët kanë deklaruar se nuk e miratojnë Reformën Zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor, depolitizim të administratës zgjedhore si dhe votën e emigrantëve.

Gjiknuri tha se “vota e emigrantëve duhet trajtuar nga KQZ për arsye se kemi të bëjmë me një proces të tërë kompleks, logjistik organizativ. Pra nuk është një çështje dëshire, pasi vota në distancë është një çështje e mirëfilltë organizative e cila kërkon integritet, procese logjistike, procese teknike, të cilat parlamenti nuk mund të jetë në gjendje t’i përcaktojë me imtësi, ashtu siç parlamenti ka vendosur të mos përcaktojë me imtësi rregullat për votimin elektronik apo identifikimin elektronik”.

“Prandaj vendosëm të pranohet parimi dhe të delegohet mënyra e organizimit të votës në distancë për votën e emigrantëve”, tha ai.

Gjiknuri tha se “ka kohë që opozita parlamentare e ngre këtë shqetësim, si dhe e ka deklaruar publikisht që nuk e mbështet Reformën Zgjedhore, pavarësisht marrëveshjes që kemi arritur. Kjo është një tjetër pengesë në rrugën për të përfunduar një proces që mori shumë kohë dhe vështirësi me opozitën jashtëparlamentare. Mbetet për t’u parë, por mendoj se Shqipëria duhet të ketë sa më shpejt një Kod të ri Zgjedhor, ndryshe ky proces do mbahet peng dhe askush nuk është i fituar”.

“Mendoj se një zgjidhje duhet gjendur dhe mendoj se Kodi Zgjedhor do të kalojë në bazë të marrëveshjes që kemi arritur. Shqetësimi i opozitës parlamentare, e cila fatkeqësisht politika deri diku është bërë tripolare vendimmarrja, pasi janë edhe ata jashtë që janë në këtë proces, këta brenda që kanë dhe vota, si dhe kuptohet edhe mazhoranca. Ne një angazhim e kemi marrë dhe nuk tërhiqemi nga angazhimi, ka të bëjë me faktin që çështjen e sistemit zgjedhor e kemi prioritetin e fazës së dytë të reformës. Meqenëse nuk kishte konsensus për momentin, ne mendojmë që të hapet sapo të përfundojë miratimi i Kodit Zgjedhor, mund të jetë dhe para zgjedhjeve. Pra mund të kemi një sistem zgjedhor edhe para zgjedhjeve”, theksoi ai.

Gjiknuri sqaroi se çështja e ndryshimit të sistemit zgjedhor ishte i pamundur në këto momente për shkak të mungesës së konsensusit, pasi PD nuk erdhi me propozim. “Sistemi zgjedhor kërkon ndryshim të Kushtetutës së Shqipërisë dhe kërkon konsensus të madh dhe mazhoranca ka thënë jemi të hapur, por do flasim të fundit”, deklaroi ai. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.