Ballina Flash

FOTO – Vittorio Sgarbi viziton Galerinë Kombëtare të Arteve/ Margariti: Shkëmbyem ide për projekte në fushën e artit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit italian Vittorio Sgarbi vizitoi dje Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku vizitoi disa nga pavijonet e galerisë.

Gjatë vizitës në galeri Sgarbi u shoqërua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila e cilësoi “një nga vizitat e rralla në Galerinë Kombëtare të Arteve”.

“Pata kënaqësinë ta shoqëroj në një tur nëpër pavijonet e GKA-së, kritikun e artit, një nga njerëzit më interesantë dhe një mik të Shqipërisë, Vittorio Sgarbi”, – shprehet Margariti.

Ministrja tha se “gjatë kësaj vizite patëm mundësi të shkëmbenim ide dhe pse jo, projekte në fushën e artit, sesi mund të na ndihmojë me ekspertë në fushën e restaurimit dhe vlerësimit të veprave të artit”.

Sgarbi vizitoi pavijonin e skulpturave, si dhe ekspozitën “Tirana Pasion”, si dhe atelienë e restaurimit, ku pa nga afër dy vepra të Kol Idromenos që janë restauruar.

Me një interes të posaçëm për trashëgiminë kulturore, udhëtimi i Sgarbit vijoi drejt Apolonisë, një prej parqeve të jashtëzakonshme arkeologjike në Shqipëri, dikur kryeqendër kulture e arsimi, sot një atraksion turistik./k.s//a.a/r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArmëmbajtje pa leje dhe kalimi i paligjshëm i kufirit, 5 të ndaluar në dy operacione policore
Artikulli tjetërPorti sot/ Katër anije në përpunim, në pritje dhe 5 anije të tjera