Ballina Flash

Kukës, pastrohen kanalet vaditëse, kryebashkiaku Gjici: Gati për nisjen e vaditjes së tokave bujqësore

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Në bashkinë e Kukësit i gjithë rrjeti i kanaleve vaditëse në njësitë administrative është gati për të nisur vaditjen e tokave bujqësore.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, inspektoi punimet që po kryhen për pastrimin dhe rehabilitimin e kanalit të njësisë administrative Shtiqën.

“Bujqësia është sektori kyç i ekonomisë në Kukës ndaj dhe ne po bëjmë çmos për të mbështetur fermerët dhe bujqësinë”, – theksoi Gjici.

Kryebashkiaku Gjici u shpreh se “me shumë punë dhe përkushtim i gjithë rrjeti i kanaleve vaditëse në të gjitha njësitë administrative është gati për të nisur vaditjen e tokave bujqësore”.

“Po vijon pandërprerë puna për pastrimin dhe rehabilitimin e kanalit në njësinë administrative Shtiqën, ndërsa njëkohësisht prej ditësh po punohet për pastrimin e kanalit të njësinë administrative Bicaj, i cili mbulon shumë hektarë tokë bujqësore të kësaj njësie”, – nënvizoi Gjici.

Ai e vuri theksin edhe tek ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke theksuar se “është ngritur taskforca me Policinë e Shtetit, policinë bashkiake, ujësjellësin dhe do të fillojmë ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme”.

“I bëj thirrje banorëve të këtyre zonave ta heqin vetë lidhjen e paligjshme se përndryshe do të ndiqen penalisht”, – tha Gjici./k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKROACI – Shpërndahet parlamenti, hap rrugën për zgjedhje të reja
Artikulli tjetërTURQI- Erdogan: Mënyra e vetme për t’i dhënë fund pandemisë është eliminimi global i saj