TIRANË, 24 prill/ATSH/ Shumë prej ritualeve që besimtarët myslimanë praktikojnë në këtë muaj të Ramazanit do të jenë ndryshe, si pasojë e përballjes me një situatë jo të zakonshme, të shkaktuar nga COVID-19
Kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali uroi sot qytetarët e Kavajës me rastin e nisjes së muajit të Bekuar të Ramazanit.
“Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit. Ndër të tjera ky muaj është një rrugëtim drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin e Gjithësisë, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë”, u shpreh Krali.
“Në këto kohë të vështira, të gjithë ne jemi duke u përballuar me një situatë jo të zakonshme, të shkaktuar nga COVID-19. Si rrjedhojë shumë prej ritualeve që besimtarët praktikojnë në këtë muaj do të jenë ndryshe. E rëndësishme të kuptojmë se të gjithë ne jemi të barabartë përballë kësaj sprove. Dhëntë Zoti të dalim të fituar prej saj”, tha Krali.
“Motra dhe vëllezër! Uroj dhe lutem përzemërsisht për të gjithë besimtarët myslimanë që devotshmëria, përkushtimi dhe sakrifica t’i shoqëroje gjatë këtij muaji të bekuar! Agjërim të lehtë dhe të pranuar!”, uroi besimtarët myslimanë kryebashkiaku Krali.
/gj.mima/ /a.g//r.e/























