TIRANË, 21 prill/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, në përgjigje të pyetjes nëse një pacient i shëruar mund të preket sërish nga koronavirusi, argumentoi se raste të tilla nuk janë të lidhura vetëm me rimarrjen e virusit por duhet një investigim i imunitetit të pacientit.
“Kjo është një pyetje që nuk bëhet vetëm tek ne por edhe kudo në botë. Edhe nëse ka raste të tilla që janë nën investigim sepse kanë të bëjnë me imunitetin e pacientit, nuk mund të themi në mënyrë solide që rastet e riinfeksionit janë raste të lidhura veçanërisht me rimarrjen e këtij virusi. Ka më shumë në këtë situatë, sesa thjesht kontaktimi i virusit”, – tha Fico.
“Të prekur nga COVID-19, – tha ajo, – është edhe një gazetar i cili është në gjendje të mirë shëndetësore. Po, kemi vetëm një rast. Është në gjendje të mirë në radhë të parë, është i vetizoluar dhe po monitorohet nga mjeku i familjes”.
Lidhur me numrin e fëmijëve të prekur, Fico u shpreh se gjysma e tyre janë të shëruar.
“Numri i tyre është 21. Gjysma e tyre janë të shëruar. Lajmi i mirë është që nuk kemi asnjë fëmijë të shtruar në spital. Ndërkohë nga forcat e policisë rezultojnë 14 raste pozitive dhe në strukturën akomoduese të Ministrisë së Mbrojtjes, në strukturë shtetërore janë gjithsej 4 persona”. z.tosku/ /a.a//r.e/























