LONDËR, 8 prill /ATSH-AFP/- Shëndeti i kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili është infektuar nga COVID-19 dhe në kujdesin intensiv që nga e hëna, po përmirësohet, njoftoi sot ministri i Financave, në konferencën e përditshme të qeverisë.
“Lideri konservator është ende në kujdes intensiv, por gjendja e tij është duke u përmirësuar, ai mund të rrijë i ulur në shtrat dhe të flasë me mjekët”, tha ministri, Rishi Sunak.
“Ai është në gjendje të mirë shpirtërore dhe nuk është i lidhur me në një ventilator për të marrë oksigjen”, tha pak më herët një zëdhënës i kryeministrit.
Shtrimi të dielën në spitalin “St. Thomas” të Londrës i kryeministrit karizmatik, pastaj transferimi i tij në kujdesin intensiv mbrëmjen tjetër, shkaktoi tronditje në Britaninë e Madhe, ku vdekjet shtohen me nga qindra çdo ditë.
Vendi, i cili i mori masat kufizuese në lidhje me pandeminë më vonë se fqinjët e tij, tani është një nga më të prekurit në Europë./ /ervo/























