TIRANË, 31 mars/ATSH/ Komisioni i Financave dhe Ekonomisë vendosi sot akordimin e një fondi prej 6.5 miliardë lekësh në zërin e ri “Kontingjenca për paketën sociale antiCOVID-19”, e cila do të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
Mbledhja e sotme, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u zhvillua online, ndërkohë që përmbante një diskutim kyç lidhur me situatën emergjente në luftën që po kalon vendi ndaj COVID-19.
Anëtarja e këtij komisioni, Blerina Gjylameti informoi se “gjatë mbledhjes u shqyrtua Akti Normativ për buxhetin e vitit 2020”.
Gjylameti tha se fondi prej 6.5 miliardë lekësh i dedikohet financimit të masave me karakter social që do të ndërmarrë qeveria, në funksion të lehtësimit dhe
mbështetjes së punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proceseve të punës në shkallë vendi.
“Konkretisht do të lëvrohet për: shtresat në nevojë, të papunët, si rrjedhojë e situatës aktuale, për mbështetje të ndryshme të komuniteteve dhe sektorëve, që do të rezultojnë më të dëmtuarit, për shkak të situatës aktuale”, tha Gjylameti.
Ajo shtoi se në mbledhjen e sotme u vendos të akordohet një fond prej 2.5 miliardë lekësh në programin “Shërbimet e kujdesit dytësor (spitalori)” të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili do të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjylameti tha se “ky fond ka për qëllim financimin e shpenzimeve, korente dhe kapitale, të sektorit shëndetësor, për furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore”.
“Po ashtu u miratua rritja me 1 miliardë lekë fondin rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim krijimin e hapësirës për financimin e shpenzimeve të domosdoshme me karakter të paparashikuar, për muajt në vijim. Vendosëm të rialokojë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, pa efekt shtesë buxhetor, një fond prej 2 miliardë lekësh nga programi “Forcat e luftimit” dhe “Mbështetja e luftimit”, në programin “Mbështetje për Shëndetësinë”. Ky fond, i cili do të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave, do të përdoret në logjikën e një fondi emergjence, duke u alokuar si për shpenzime korente ashtu edhe për kapitale”, tha ajo.
Gjylameti tha se “si i tillë, ai do të përdoret për furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kenë nevojë për ndihmë direkte.
“Njëkohësisht, ky fond do të përdoret edhe për nevoja të ekipeve mjekësore, si në spitalet civile ashtu edhe në spitalin ushtarak”, tha Gjylameti. /m.m/ /a.g/ /r.e/























