NJU DELHI, 24 mars /ATSH-AFP/ – Kryeministri indian, Narendra Modi urdhëroi sot një mbyllje të plotë të Indisë, shteti gjigant i 1,3 miliardë banorëve, për tri javë rresht për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Duke filluar nga mesnata e sotme, i gjithë vendi do të hyjë në karantinë. Për të shpëtuar Indinë, për të shpëtuar çdo qytetar, ju dhe familjen tuaj”, tha kreu indian i qeverisë gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit.
“Nëse këto 21 ditë nuk respektohen, atëherë vendi dhe familja juaj do të kthehen 21 vjet pas”, tha udhëheqësi nacionalist hindu.
Kryeministri u bëri thirrje indianëve të respektojnë distancimin shoqëror dhe të qëndrojnë në shtëpi.
“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’i shpëtuar koronavirusit”, paralajmëroi ai.
“Mos harroni se edhe një hap i vetëm jashtë shtëpisë mund të sjellë përsëri sëmundjen e koronavirusit në shtëpinë tuaj”, tha kryeministri indian.
India ka 519 raste të konfirmuara të koronavirusit në vend, i cili tashmë ka shkaktuar vdekjen e 10 personave.
Ekspertët vlerësojnë se ky numër është nënvlerësuar shumë për shkak të numrit të vogël të testeve të kryera në vendin e dytë më të populluar në planet./ a.jor.






















