Hapja e negociatave/ Ruçi: Shqipëria, një vlerë e shtuar e qytetërimit europian

TIRANË, 24 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Shqipëria është një vlerë e shtuar e qytetërimit europian.

“Ky vendim është një ngjarje e madhe historike për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe gjithë rajonin. Është një vendim i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Europian. Është një vendim i merituar për Shqipërinë, që rikonfirmon se trashëgimia, rrënjët, kultura dhe aspiratat tona kanë prodhuar e konsoliduar vlerat tona europiane”, u shpreh Ruçi.

“Kuvendi i Shqipërisë është krenar për kontributin dhe legjitimitetin që i dha këtij procesi të gjatë e të vështirë, që më në fund gjeti mbështetjen dhe konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim për të gjithë protagonistët dhe kontribuesit në këtë sukses kombëtar. Tashmë Shqipëria jonë hodhi një hap të rëndësishëm drejt konfirmimit si një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.