Ballina Flash

Situata e COVID-19/ Urgjencat kirurgjikale dhe të patologjive malinje zhvendosen tek Spitali Universitar i Traumës

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Në situatën e krijuar si pasojë e pandemisë COVID -19, Spitali Universitar i Traumës mbetet në vijën e parë të frontit në shërbim të shëndetit të popullatës.

Kështu u shpreh sot Drejtori i Spitalit Univeristar të Traumës Prof.Asc.Arben Zenelaj, në një mesazh drejtuar qytetarëve.

“Duke filluar nga sot, datë 20/03/2020, SUT do të presë dhe trajtoj jo vetëm pacientët e traumatizuar por dhe ata të cilët do duhet t’i adresohen spitalit për shkak të urgjencave kirurgjikale dhe patologjive malinje të cilat deri sot trajtoheshin në QSUT “Nënë Tereza” dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Ekipet mjekësore me profesionalizmin e spikatur dhe kultivuar ndër vite, ashtu sikurse të gjitha burimet njerëzore të spitalit janë në funksion dhe gatishmëri të plotë”, – thekson Zenelaj.

Drejtori Zenelaj shprehet se “në këto kohë të vështira për globin çdokush nga ne ka detyrën që ti shërbejë jo vetëm vetes dhe familjes por edhe shoqërisë. Kjo luftë ka vënë në sprovë ekzistencën e kombeve dhe koha na ka përcaktuar ne të gjithëve detyrën që jo vetëm tja dalim mbanë, por tja dalim me nder e faqebardhë”.

“Këto ditë të vështira kërkojnë nga sistemi shëndetësor humanizëm, disiplinë, përkushtim e profesionalizëm të cilat ju të dashur bashkëqytetar e bashkëkombas i keni konstatuar anembanë vëndit. Për t’i patur në efiçencë të plotë burimet tona njerëzore jeni të lutur të na ndihmoni me informacion sa më të detajuar rreth sëmundjes tuaj, e veçanërisht nëse keni patur kontakt me persona të infektuar me Coronavirus. Kjo do të bënte që stafi ynë t’ju adresojë më shpejt në diagnozën dhe ndihmën mjekësore të duhur. Ndërkohë ju do na ndihmonit që të ruajmë trupën mjekësore që t’i shërbejmë shpëtimit të sa më shumë jetëve”, – tha drejtori Zenelaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMJEKESI – Turqia do të përdorë kitin diagnostikues që nxjerr rezultatin për COVID-19 për 15 minuta
Artikulli tjetërVideo tronditëse nga Londra, 39-vjeçarja në luftë me COVID-19: Nuk marr dot frymë pa aparat, askush të mos rrezikojë