Ballina Ekonomi

“500-vjetori i Statujës së Davidit”/ Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike

TIRANË, 6 mars /ATSH/- Statuja e Davidit pasqyrohet edhe në serinë e monedhave numizmatike të vitit 2001, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me rastin e 500-vjetorit të krijimit të kësaj statuje.

Vizatimet e të tre monedhave janë realizuar nga piktori Namik Prizreni.

Banka e Shqipërisë ka publikuar sot foto nga seria e monedhave me tematikë “500-vjetori i Statujës së Davidit”, në përkujtim të 545 vjetorit të lindjes së skulptorit, arkitektit dhe poetit të madh të Rilindjes italiane, Mikelanxhelo.

Një nga skulpturat më të famshme të realizuara prej tij është Statuja e Davidit, për të cilën, Mikelanxhelo, punoi në vitet 1501-1504, kur u shpall Republika e Firences në Itali.

Mikelanxhelo zgjodhi ta paraqiste Davidin si atlet, me një karakter burrëror dhe gati për të luftuar. Në kohën kur Firence po kalonte në vështirësi, Mikelanxhelo përdori Davidin, mbretin e dytë të Izraelit, e në të njëjtën kohë, figurë mitike e Biblës, si model të kurajës heroike, me shpresën se fiorentinasit do ta kuptonin mesazhin e tij. Ky hero biblik i ri demonstronte idenë se fuqia shpirtërore e brendshme mund të provojë të jetë më efektive se armët. Hobeja që Davidi mban në dorë është i vetmi element kompozicioni që na lejon të identifikojmë figurën mitike të tij.

Kuptimi i Davidit bëhej plotësisht i qartë, nëse marrim parasysh rrethanat historike të krijimit të tij. Me këtë statujë, Mikelanxhelo u provoi bashkëkohësve të tij, që ai jo vetëm ishte më i mirë se artistët modernë, por edhe se ata grekë e romakë, duke ndërthurur bukurinë e jashtme me format e të shprehurit dhe me mendimin e fuqishëm.

Statuja e Davidit pasqyrohet tashmë edhe në serinë e monedhave numizmatike të Bankës së Shqipërisë. e.xh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMungesë dokumentacioni apo ndryshim destinacioni, Taskforca e Transportit Rrugor mban 1326 akte konstatimi
Artikulli tjetërSHBA – Papunësia në nivelin më të ulët të 50 viteve të fundit