TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ – Konstituohet bordi i ri i revistës “Kuvendi”
Nën drejtimin e nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi sot u zhvillua mbledhja e konstituimit të bordit të ri të revistës “Kuvendi”.
Në mbledhje ishin të pranishëm anëtarët e bordit të ri të revistës, zonja Julia Done, drejtore e Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit, dhe Krenar Hajdëri, drejtor i Shërbimit të Botimeve Parlamentare.
Në çelje të takimit Hysi theksoi se qëllimi i mbledhjes ishte prezantimi i bordit të ri të revistës së Kuvendit dhe diskutimi për mundësitë e bashkëpunimit dhe dhënies së impulseve të reja në drejtim të brendisë dhe cilësisë së artikujve studimorë të përfshirë në këtë revistë. Zonja
Hysi vuri në dukje se revista “Kuvendi” shërben si një nga instrumentet institucionale të transparencës dhe të komunikimit me qytetarët mbi produktet më të rëndësishme dhe me impakt të gjerë publik të veprimtarisë parlamentare. “Tashmë me një fizionomi të konsoliduar dhe me stade të reja të komunikimit përmes gjithëpërfshirjes së mendimit, analizave dhe debateve, kjo revistë është shndërruar në një dritare të mirëfilltë të mendimit politik, ekonomik, social e shoqëror”, theksoi Hysi.
Në përbërje të bordit të ri të revistës janë të përzgjedhur emra të fushës akademike dhe studiues nga fusha të ndryshme në universitet publike dhe private, jo vetëm nga kryeqyteti, por dhe në rrethe në zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara nga Kuvendi i Shqipërisë me institucionet e larta arsimore në vendin tonë.
Në fjalën e tyre anëtarët e bordit vlerësuan arritjet e deritashme të revistës “Kuvendi” dhe dhanë mendimet e tyre në drejtim të përmirësimit të cilësisë së brendisë dhe tematikave të trajtuara në të ardhmen.
Revista “Kuvendi” synon që nëpërmjet materialeve që publikohen të kthehet shumë shpejt në një burim reference për studiuesit, akademikët, për publikun e gjerë dhe të interesuarit për jetën në shtëpinë e parlamentarizmit shqiptar.
Përbërja e bordit të ri të revistës është si më poshtë:
- Akademike e asociuar Aurela Anastasi – Akademia e Shkencave, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
- Prof. dr. Fatos Tarifa – University of New York, Tiranë
- Prof. dr. Tonin Gjuraj – Universiteti Europian i Tiranës
- Prof. dr. Sorina Koti – Universiteti “Fan Noli”, Korçë
- Prof. dr. Skënder Topi – Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
- Prof. dr. Leontiev Çuçi – Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Luarasi”
- Prof. asoc. dr. Zamira Çavo – Universiteti “Marin Barleti”
- Dr. Përparim Kabo – Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
- Prof. dr. Sulo Hadëri – Universiteti i Tiranës
- Dr. Afrim Krasniqi – Akademia e Studimeve Albanologjike
- Prof. dr. Lekë Sokoli – Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës
- Prof. dr. Gëzim Rredhi – Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër
- Prof. dr. Agim Kukeli – Universiteti “Epoka”
/gj.mima/













