BAGDAD, 21 shkurt /ATSH-AFP/ – Aliu mendonte se po ëndërronte kur pa mikun e tij t’i propozonte për martesë një protestueseje që takoi në sheshin ”Tahrir” të Bagdadit.
Madje, përpara të gjithë botës. Kjo do të ishte e paimagjinueshme para revolucionit të tetorit të vitit të kaluar.
Edhe pse ky revolucion spontan dhe i pazakontë, që nisi para katër muajsh, nuk solli ndryshime madhore në politikë, sipas protestuesve dhe vëzhguesve, ai shembi barrierat sociale në një shoqëri irakiane mjaft konservatore.
Për Ali Khreibin, 28 vjeç, kjo është e pazakontë.
”Arritëm një qëllim nëse kemi parasysh dorëheqjen e qeverisë”, thotë ai.
”Por, jomjaftueshëm, sepse politikanët duan thjesht dhe vetëm të zëvendësojnë kryeministrin me një tjetër brenda sistemit”, thekson Khreibin.
”Nga ana tjetër, në nivel shoqëror kemi arritur shumë duke u lutur, kërcyer apo qarë bashkë duke thërritur fund ndarjes klasore, diskriminimeve dhe traditave të regjimit”, shton 28-vjeçari.
”Në fakt, ndryshimi i madh i revolucionit, në një vend ku 60% e popullsisë është nën 25 vjeç, ‘Tahriri’ na lejoi të ëndërrojmë”, shprehet një irakian në rrjete sociale.
Dhe kjo u bë e mundur si për studentët e lagjeve të bukura ashtu dhe për shoferët e taksive të zonave popullore, si për gratë shtëpiake të zonave bujqësore në jug ashtu dhe për mjekët e Bagdadit.
Prej dekadash, ata nuk flisnin. Në vitin 1979, Saddam Hussein mori pushtetin dhe e futi Irakun në një vazhdë të gjatë luftërash dhe dhune, që mori fund vetëm në 2017-n me fitoren ndaj xhihadistëve.
”Duket sikur të rinjtë prej vitesh kanë qenë në gjumë”, thotë Ahmed al-Haddad, një protestues 32-vjeçar në Bagdad.
”Por, kohët e fundit, ata pikasën diçka përtej mbijetesës: një jetë e denjë ishte e mundur në një shoqëri civile, pa pranga sociale dhe pa partitë fetare”, thekson Ahmedi.
Në rrjetet sociale, klishetë nostalgjike të qytetareve me minifund të Bagdadit dhe kabaretë e Basrës janë gjithandej. Kujtime të largëta të një dekade embargoje, të fuqizimit të partive fetare dhe të mbretërimit të milicëve shiitë apo grupeve xhihadiste sunite.
Në Divania, pika e fortë e revoltës në jug, ku traditat dhe rregullat bëjnë ligjin, këshilltarja Hayam Chayaa nuk mendonte qoftë edhe një ditë të vetme që të përzihej me burrat për të folur për politikë apo muzikë.
”Befas, gjithçka ndryshoi”, tregoi irakiania, nën perçen e zezë tradicionale.
”Dhe ndodhi sepse afërsisht 550 irakianë gjetën vdekjen për një shtet civil dhe të zhvilluar, jo të prapambetur dhe as reaksionar”, shton ajo.
Një ndryshim i dukshëm për 40 milionë irakianë, ku bëjnë pjesë anëtarët e sistemit, partitë fetare apo fraksionet e armatosura.
Para disa ditësh, ish-futbollisti Adnane Derjal gjithashtu reklamoi fundin e sektarizmit dhe rajonalizimit në sportin mbret të Irakut.
”Të rinjtë tashmë duan të ecin përpara, pasi brezi ynë nuk mundi të hedhë qoftë edhe një hap”, thotë 60-vjeçari Khaled Hamza, drejtori i një qendre kërkimore në Bagdad.
Për Heban, 20 vjeçe, Iraku ndodhet në një pikë pa kthim prapa.
”Protestat na dhanë forcën për të dalluar të mirën nga e keqja”, thotë ajo.
Sipas saj, ”të rinjtë e dinë tanimë se çfarë duan: të drejtën e një jete të ndershme”, në një nga vendet më të pasura në botë me naftë ku 20% e popullsisë është e varfër.
”Sot duhet të bashkohemi rreth një projekti për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Një proces që do marrë vite sepse nuk mund të ndryshojë gjithçka brenda natës”, thotë Mohammed al-Ajil, protestues i rregullt në Bagdad./ /mig/ a.jor.













