TIRANË, 21 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “Akseleratori për Inovacionin dhe Konkurrueshmërinë është një investim i drejtpërdrejtë për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e ekonomive të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në një aktivitet të organizuar tek Shtëpia e Europës, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri theksoi se “integrimi në Bashkimin Europian është një proces që bazohet mbi meritat për secilin vend, por konceptimi që tashmë po del me metodologjinë re dhe qasja që Europa si union, do të ketë ndaj nesh si individë do të jetë shumë më shumë herë e ndërlidhur me kapacitetet tona për të ndërvepruar me të tjerët”.
Ndaj, Rama tha se “sa më shumë ne t’i japim shembuj Bashkimit Europian, të bashkëpunimeve tona të suksesshme, si akseleratori që po ndodh këtu dhe jo në BE, aq më shumë BE do të respektojë përpjekjet tona individuale dhe do të mendojë për të na futur brenda”.
“Forumi Ekonomik Botëror e ka në axhendën e tij revolucionin industrial të 4-t. Avantazh është që kësaj here kjo do të ndodhë në çdo vend, nuk ka rëndësi se sa i zhvilluar dhe i madh është vendi. Përmes mundësive për të bërë këto kapërcime që na vijnë vetëm nga teknologjia, ne do zhvillojmë 3 takime dhe në fund do të mblidhemi së bashku me mbështetjen e Forumit Ekonomik Botëror dhe të fillojmë me Akseleratorin për Inovacionin dhe Konkurrueshmërinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ky nuk është një investim i drejtpërdrejtë në diçka që mund ta prekim fizikisht por është një hapësirë e mendjeve, synimeve dhe bashkëpunimit për të krijuar rrjete dhe për t’u siguruar që në sektorin jotradicional si tekonologjia e re, t’ia dalim mbanë për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm për ekonomitë tona”.
“Nëse do të thoja PPP (Partneritet Publik Privat) do të ketë shumë njerëz që do të fillojnë të politizojnë çështjen për hir të kontradiktave dhe që asnjëherë nuk kanë treguar një vullnet për të kuptuar se sa e natyrshme dhe e rëndësishme është t’i kemi PPP-të si pjesë e përpjekjeve tona të përgjithshme. PPP janë ato që do të na mbështesin fuqishëm të gjithë ne, në identifikimin dhe duke na shtyrë më tej përpara për iniciativa të reja për Startup-e”, tha Rama.
Kjo platformë, sipas tij, “do t’i shërbejë të gjithë të rinjve të talentuar në këtë fushë për t’i sjellë ata së bashku dhe për t’u thënë se nuk janë vetëm dhe nuk kanë kufij”. “Na nevojitet një platformë e re për të promovuar suksesin e tyre dhe për t’i ngritur në një nivel të ri dhe për ta bërë jetën tonë më të lehtë përmes këtij inovacioni për shkak të talentit të tyre”, shtoi Rama.
“Para ca vitesh kam takuar një djalë 20 vjeç, që nuk i kishte kryer studimet, por kishte krijuar një kompani me punonjës më të rinj se vetja dhe punonte si nënkontraktor për Silikon Valley. Ai paguhej jashtëzakonisht shumë krahasuar me standardet e Shqipërisë, shumë herë më shumë se unë, dhe kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Por ai arriti deri në atë pikë pa asnjë ndihmë. Në fakt, nuk është e mjaftueshme që ju të keni talentin, kompjuterin apo zgjidhjen, por duhet t’ju shtyjë dikush, duhet një kompani dhe një destinacion ku ju do të dini si të arrini duke mos qëndruar vetëm”, shtoi ai.
Kryeministri shprehu bindjen se “kjo platformë do të ketë ndikim në një mënyrë shumë të rëndësishme në cilësinë e dialogut me të gjithë, duke adresuar jo vetëm temat klasike, lëvizjet e njerëzve, kufijtë e tarifave pa barriera, por duke i adresuar ato në një formë jotradicionale”.
Po ashtu, Rama tha se “është një mundësi e mrekullueshme për të krijuar një qendër koordinimi nëpërmjet rrjeteve të dijeve për ndryshimet strukturore, të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të krijojmë hapësirat e duhura në shtetet, organizatat dhe institucionet tona, për këtë lloj fluksi të ri produkti”.
Rama tha se “duke krijuar një Këshill Rajonal për Konkurrueshmërinë ne nuk do të adresojmë thjesht vetëm të ardhmen e vetë Akseleratorit, por edhe rezultate që do të vijnë nga akseleratorët për tregjet dhe institucionet, dhe do të sigurohemi që do të kemi edhe mjetet shtesë për një bashkëpunim në fusha të ndryshme të ekonomisë”.
Së fundi, Kryeministri Rama veçoi sigurinë kibernetike, një sfidë e madhe për të gjithë por që nuk mund të përballohet vetëm dhe të ndarë nga njëri-tjetri”.























